Kreu i FRPD, Belind Këllici ka njoftuar se Gjykata e Tiranës ka pushuar çështjen e padisë për shpifje nga ish-ministrja e Arsimit Besa Shahini ndaj tij.

Këlliçi është paditur që në 11 qershor të 2020 pas akuzave të tij për testin e maturantëve dhe zgjedhjeve në universitete, por sipas tij Shahini nuk është paraqitur 3 herë radhazi në Gjykatë.

Shahini tashmë nuk është më ministre arsimi pasi kërkoi dorëheqjen dhe në ditën e parë të shkollës për këtë vit Edi Rama e zëvendësoi me Evis Kushin.

”Jam sot sërish në Gjykatë, në seancën e tretë gjyqësore, në një proces farsë që Gjykata e rrëzoi, si çdo gjë që bën Rilindja pasi është farsë, në përballjen me ish- ministren e arsimit Besa Shahini, ministren më të dështuar që ka patur ndonjëherë Shqipëria në këto 30 vitet e fundit. Për seancën e 3-të radhazi refuzoi të vintë dhe të ballafaqohej me fakte dhe prova. Refuzoi në fakt të paraqitej pasi nuk ka asnjë provë e asnjë fakt për akuzën e ngritur ndaj meje në cilësin e kreut të FRPD për shpifje.

Refuzoi sepse çdo gjë që bën Rilidnja është propagandë, farsë e presion. E zhveshur dhe nga imuniteti si ministre, Besa Shahini refuzoi të përballej në gjyq. Nuk është sot lajmi i mirë pushimi i çështjes, por është që individë pa kontribute politike dhe pa karrierë politikë s’kanë më mundësinë t’i bëjnë dëm arsimit e të rinjve. Besa Shahini do të mbahet mend për tarifat e larta të studentëve, që nuk punoi për asnjë moment në interes dhe mbrojtje të interesave të të rinjve shqiptarë. Për faktin se u mbyllën qindra shkolla, u larguan të rinj dhe dështimin spektakolar me ligjin e arsimit të lartë me tarifat e universiteteve, kushtet  e konvikteve. Lajmi i mirë sërish është që Besa Shahini dhe Shahinët e tjerë s’mund të dëmtojë më të rinjtë. Asnjë akuzë apo presion s’do na pengojë të mbrojmë interesat e studentëve e të rinjve. Shihemi në betejën e radhës.”- tha Këlliçi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb