Ministria e Financave ka çuar për ndjekje penale një inspektor në Drejtorinë e Kontrollit Tatimor, në Drejtorinë Rajonale të Tatimeve në Sarandë, pasi akuzohet se shkeli ligjin elektoral për përfshirje në fushatë. Sipas MF-së, Enid Hito ka marrë pjesë në fushatë gjatë orarit zyrtar të punës.

NJOFTIMI
Ministria e Financave informon Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë në Sarandë, që në ushtrim të funksionit kushtetues të ndjekjes penale, të kryejë veprimet e nevojshme për hetimin, e Enid Hito, inspektor në Drejtorinë e Kontrollit Tatimor, në Drejtorinë Rajonale të Tatimeve në Sarandë.

Nisur nga informacionet, Hito, rezulton të jetë përfshirë në mënyrë të drejtpërdrejtë në fushatë elektorale, në kundërshtim flagrant me ligjet në fuqi si dhe me VKM nr. 473, dt. 01.06.2017.

Dokumentacioni i plotë është përcjellë edhe në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve për procedimin e menjëhershem të inspektorit në fjalë.

Nisur nga ky rast, Ministria e Financave u bën thirrje të gjithë punonjësve të institucioneve të varësisë qe të zbatojnë me përpikmëri detyrat funksionale në perputhje me legjislacionin në fuqi dhe të mos bien pre e nxitjeve publike për tu përfshirë në fushatën zgjedhore, pasi do të përballen me ndëshkimin më të rreptë që parashikon ligji.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb