KUÇOVË

5 vjet më parë kjo kishë monument kulture rreth 300 vjecare u përfshi nga flakët të cilat shkrumbuan pjesën më të madhe të saj për shkak edhe të konstruksionit prej druri. Kisha Ungjëllizmit në fshatin Salcë-Kozare të Kuçovës daton që prej viteve 1700-1800.

Gjëndja e kësaj Kishe është e mjerueshme, pa dyer pa dritare e pa çati. Ende sot duken përreth saj shenjat që shkaktoi zjarri i 15 gushtit të 2014-s. Ajo ishte një nga Kishat më të ralla në qarkun e Beratit për shkak të vlerave historike, fetare dhe artistike që ruante ky objekt i trashëgimisë kulturore, por sot i lënë në harresë nga institucionet përgjegjëse. Edhe pse me një kishtë të rrënuar, banorët e fshatit Salcë-Kozare vijojnë të ndezin qirinj e të luten atje.

Ata tregojnë se Kishën e kanë ruajtur e mbrojtur me fanatizëm që prej periudhës së  komunizmit duke u kujdesur vetë për të.

Banorët thonë se rikonstruksioni i Kishës u është premtuar disa herë nga Ministria e Kulturës por ende askush nuk ka vënë dorë mbi të.

Kisha e Ungjëllizmit e tipit bizantin ishte e ndërtuar me dru në të gjithë sipërfaqen e saj, duke përfshirë edhe kupolën e cila ishte me piktura murale qindra-vjeçare. Ajo që spikaste më tepër në këtë kishë ishte  afresku mural i cili shtrihej në gjithë sipërfaqen e brendshme të mureve dhe në afresk paraqiteshin skena nga historitë biblike ndër shekuj.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb