Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka dalë kundër Komisionit të Pavarur të Kualifikimit duke rikthyer në detyrë prokurorin Arqilea Koça.

Ishte vetë prokurori Koça, i cili u përjashtua nga KPK që apeloi vendimin, duke fituar kështu të drejtën për t’u rikthyer prokuror pranë Prokurorisë së Përgjithshme. Ky është rasti i dytë që KPA del kundër vendimit të KPK për një subjekt rivlerësimi në procesin e vettingut.

Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Ardian Hajdari kryesues, Sokol Çomo relator, Albana Shtylla, Natasha Mulaj, Rezarta Schuetz, anëtarë, shpalli sot vendimin për çështjen (JR) nr. 25/2019, datë 20.05.2019, që i përket ankimit të paraqitur nga subjekti i rivlerësimit Arqilea Koça kundër vendimit nr. 113, datë 08.03.2019, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Në përfundim të gjykimit, bazuar në nenin 59, pika 1 dhe 66, pika 1, shkronja “b” e ligjit nr.84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, trupi gjykues, me shumicë votash, vendosi:
Ndryshimin e vendimit nr.113, datë 08.03.2019 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që i përket subjektit të rivlerësimit Arqilea Koça dhe konfirmimin e tij në detyrën e prokurorit pranë Prokurorisë së Përgjithshme.

Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm

U shpall sot, në Tiranë, më datë 15.12.2020.

(d.xh/ balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb