Deputeti i Partisë Demokratike Ervin Salianji ka reaguar për News24 dhe “Balkanweb”, pas publikimit të emrit të tij në dosjen e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, lidhur me hetimin për audio përgjimin që implikonte vëllain e Fatmir Xhafajt, Agron Xhafaj në pazare droge.

Në dosjen e Prokurorisë referuar dëshmisë së kunatit të Albert Veliut, Fredi Alizoti, thuhet se ky i fundit dhe vetë “Babalja” do paguheshin me një shumë prej 200 000 eurosh nga deputeti Salianji, kur biseda e regjistruar të dilte në televizion. Në dosjen që Prokuroria ka dërguar në Gjykatë thuhet se Alizoti ka pohuar që Alberti (Babalja) mori 70 000 euro.

Në reagimin e tij për News24 dhe “Balkanweb”, deputeti Salianji thotë se Prokuroria i beson një ‘aktori’ të quajtur Fredi. “Prokuroria në aktet e saj për herë të parë tregon që ka dërguar jo një, por dy të quajtur aktorë për akt ekspertimin, njëri prej të cileve një farë Fredi, mbi besueshmërinë e tē cilit ka ndërtuar gjithe skenarin. Prokuroria dhe Policia e Shtetit e ka ndërtuar te gjithe narrativen e vet nga deshmia e Fredit. Akuzat haluçinante për dhënien e parave janë pjesë e filmit me regjisor Ramën. Nuk kam asnjë kontakt, nuk kam pasur asnjë kontakt me këtë person, asnjë njohje, zero absolute. Policia ka bërë audicion për të gjetur aktorin, kanë gjetur një shokun e Ramës, që besueshmerine e ka si Rama.” – shprehet Salianji dhe shtron pyetjen se përse nuk dalin pamjet e arrestimit të Fredi Alizotit?

“Ekspertimi privat anglez qartësisht tregon që zeri i Xhafajt është i ngjashem me ate ne audion e publikuar. Akt ekspertimi anglez tregon se prokuroria ka derguar ne Angli tek privati, një moster zeri te dobet te Agron Xhafajt. Akt ekspertimi tregon qarte lojen e prokurorise qe ka derguar materialin nga mediat qe te behet i paekspertueshem dhe ketu me lind dyshimi i arsyeshem qe ekspertiza italiane e ka konfirmuar plotesisht qe zëri është i Agron Xhafajt. Prokuroria ka detyrimin ta publikoje pergjigjen e laboratorit italian”, mbyll reagimin e tij deputeti Salianji.

Në dosjen e Prokurorisë zbulohet se Fredi Alizoti (kunati i “Babales”), ka deklaruar, gjatë seancave të marrjes në pyetje se Veliu i kishte kërkuar të bënin një regjistrim bisede ku ai të hiqej sikur ishte Agron Xhafaj, vëllai i ministrit. Biseda sipas tij është bërë në një lokal përballë atij ku qëndronte Agron Xhafaj dhe ka zgjatur 3 minuta.
Dy-tre ditë para regjistrimit ai ka treguar se kishin bërë prova dhe se Veliu e kishte instruktuar për ato që do të thoshte. Po sipas Prokurorisë, Alizoti ka rrëfyer se përpara se biseda të bëhej publike ai kishte shkuar disa herë në selinë e Partisë Demokratike, ku Veliu ishte takuar me deputetin Salianji. Në dosjen dërguar në Gjykatë, Prokuroria ka përfshirë edhe zbardhjen e përgjimeve të bisedave telefonike të kryera nga Alizoti, numri i të cilit ishte vënë nën kontroll që në muajin maj, me urdhër të gjykatës. Sipas bisedave në të paktën tre raste Alizoti konfirmon faktin se ai ka luajtur rolin e Agron Xhafës dhe në disa raste është shprehur i zhgënjyer se nuk ka marrë paratë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb