Policia e Nju Jorkut ka identifikuar autorin e sulmit ndaj shkrimtarit të njohur Salman Rushdie. Bëhet fjalë për 24-vjeçarin Hadi Mattar, banues në New Jersey, i cili u arrestua fill pas krimit. Sipas raportit të policisë, sulmuesi nxitoi në skenë ndërsa Rushdie po përgatitej të mbante një fjalim gjatë një seminari të Fondacionit Chotokwa, ndërsa goditi disa herë në qafë dhe bark shkrimtarin 75-vjeçar, i cili u rrëzua në tokë.

Sulmuesi u kap nga të pranishmit në sallë, ndërsa më pas policia e arrestoi. Ende nuk dihet motivi i sulmit, ndërsa policia e Nju Jorkut tha se nuk ka pasur të dhëna për kërcënime të mundshme para ngjarjes. Salman Rushdie u transportua me helikopter në spital dhe iu nënshtrua një operacioni prej disa orësh. Aktualisht ai mbetet i intubuar dhe rrezikon të humbasë shikimin në njërin sy. Mësohet se nga goditjet ai ka pësuar dëmtime të rënda nervore në njërën dorë dhe mëlçi, tha agjenti i tij, Andrew Wiley.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

“Lajmet nuk janë të mira. Salman ndoshta do të humbasë shikimin në njërin sy; nervat në dorën e tij janë prerë; dhe mëlçia e tij është goditur me thikë dhe dëmtuar”, tha zoti Wiley në një deklaratë. Rita Lundman, një endokrinologe, e cila ishte në audiencë dhe nxitoi në vendngjarje menjëherë pasi shkrimtari u plagos, tha se Salman kishte plagë të shumta me thikë, duke përfshirë një në anën e djathtë të qafës.

Libri “Vargjet Satanike” i shkruar nga Salman Rushdie shkaktoi bujë në disa vende të botës myslimane në vitin 1988, pasi u cilësua se kishte përmbajtje “blasfemuese”. Disa muaj më vonë, lideri fetar suprem i Iranit, Ajatollah Khomeini, nxori një dekret fetar duke bërë thirrje për vrasjen e Rushdies. Për disa vite shkrimtari ka qenë i fshehur, pasi kishte frikë për jetën e tij. Qeveria e Iranit njoftoi në vitin 1998 se nuk e mbështet më dekretin fetar (“fatfa”), por organizatat ekstremiste myslimane ofruan një shpërblim prej miliona dollarësh për këdo që vriste shkrimtarin me origjinë indiane.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb