E gjithë vëmendja e ‘News24’ dhe ‘BalkanWeb’ për ditë me radhë ka qenë tek pasojat e rënda të tërmetit të fortë të 26 nëntorit. Dëshmi rrëqethëse do të vijnë edhe sot në emisionin “Me zemër të hapur” nga qyteti që e përjetoi më fort tërmetin e 26 nëntorit dhe lëkundjet e mëpasme, nga Durrësi.


Një numër i madh i banorëve të tij befas humbën jo vetëm banesën por u bënë dëshmitarë okularë të një situate që e kalonte imagjinatën dhe që solli tek ata frikë, ankth e panik… Familja Shehaj dhe familja Thartori kanë mbetur pa strehë, por jo vetëm kaq, disa nga anëtarët e tyre kanë pësuar edhe dëmtime fizike. Banorë të lagjes 12 në Durrës e cila është njëkohësisht dhe lagja më e prekur nga tërmeti ata janë të frikësuar për jetën dhe të ardhmen e tyre. Në këto ditë të ftohta “Prestige Resort” në Golem ka hapur dyert duke  strehuar jo vetëm këto dy familje, por edhe shumë banorë të tjerë të Durrësit e Kavajës të cilëve u ka ofruar përveç një strehe të sigurt, por edhe ushqim të  bollshëm dhe gjithçka ata kanë nevojë.


Gazetarja Ida Ismalaj tregoi dhe përjetimet e saj teksa ka qenë në terren përgjatë ditëve më të vështira për banorët e Durrësit e Krujës.


“Ditën e parë isha në Durrës pranë familjarëve që kishin njerëzit nën rrënoja dhe ne që qëndronin afër dhe duhet të raportonin. Misioni më i vështirë ishte në Thumanë pranë familjarëve të viktimave. Raportimi më i vështirë ishte pranë tyre, kur na duhej të raportonin sapo kishin përcjellë në banesën e fundit të dashurit e tyre”, tregoi ajo.

Më tej 75-vjeçari Ramazan Thartori tregoi në një lidhje direkte atë që përjetoi familja e tij me 6 anëtarë më 26 nëntor dhe më pas vendosjen në Prestige Resort.

“Pasi dëgjova tërmetin e parë u ngritëm bashkë me djalin. Dëgjova të dytin që ishte më i lehtë. Kur ra i treti isha zgjuar, ulur në divan. Ne banojmë në lagjen 12, në një pallat në kat të pestë, ish-pallati i oficerëve. Jam tronditur jashtë mase. Kaluam tek stadiumi. Ishim shumë të trembur. I morëm fëmijët siç ishin dhe ikëm dolëm në një fushë. Pallati ka marrë krisje, ka edhe një shtesë. Kanë lëvizur dhe shkallët. Ishim tek shkolla dhe na kanë shërbyer jashtë mase. Pastaj erdhëm këtu. Këtu i kemi të gjitha, ushqim, shërbim mjekësor. Po ha qyl. Nuk di çfarë të them”, tregoi 75-vjeçari.

Prestige Resort
Prestige Resort

Bashkëshortja e tij znj. Bajame Thartori ka përshkruar tmerrin e asaj nate kur siç thotë ajo bashkoheshin muret e shtëpisë. “Kur ra tërmeti i parë ishte i vogël, u ngritëm u trembëm. Kur ra i forti unë isha me gjithë nusen krahë më krahë, kishim djalin në mes. Nusja e mbuloi kokën me jorgan. U puqte muri me murin. Thashë ikëm. Bija shahadet. Dolëm të gjithë përjashtë. Nuk flas dot akoma. (qan) Djalin e kishim sëmurë me temperaturë. Këtu kemi futur kokën brenda me 6 veta. E përshëndes shumë stafin. Këtu jemi shumë mirë, me të gjitha me doktorë. E falënderoj me gjithë zemër stafin e pronarin. Na kanë ndenjur të gjithë afër. Çdo 5 minuta mat tensionin se jemi të dy të sëmurë me burrin. O Allah i madh na shpëtuan që na futën këtu. Këtë tmerr nuk e kam parë kurrë. Kam qarë dhe për ata që mbetën nën rrënoja. Kam fëmijë vetë, më ka ardhur shumë keq. Kemi dalë me pizhame, shpejt të shpëtojmë kokën”, tregoi gruaja teksa nuk i mbante dot lotët pranë nipit të saj.

E pyetur për shërbimin shëndetësor gruaja tregoi se kanë bërë edhe vaksinë. “Po bëmë vaksinë. Këtu të gjithë na kanë qëndruar shumë afër. Pronarit i jep nëna jetën. Ai na ka strehuar”, tha ajo.

Te Stehuarit Te Prestige Resort
Te Stehuarit Te Prestige Resort

Avokatja Nexhi Beqiri, tha se është pak kohë për të harruar atë që kaluan familjet e vitkimave që humbën jetën. “Është një dhimbje e pallogaritshme. Por të jetosh është një mrekulli. Por ata që shpëtuan kanë nevojë të ringrihen dhe t’iu kthehet jeta. Unë jam e prekur nga rrëfimi i zonjës në emision. Është rrëfimi i një nënë, i një gjysheje, i një zonje. Më vjen keq që prej kaq vitesh nuk ka një banesë. Jam mirënjohëse për të gjithë ata që u angazhuan për të ndihmuar të prekurit nga tërmetit, duke filluar nga qeveria. Ata që erdhën nga shtetet e tjera. Nuk mund të rri pa përmendur dhe atë që bëri Kosova për Shqipërinë. Ky është solidariteti më i lartë. Shqiptarët po të bëhen bashkë, mund të bëjnë shumë gjëra të mira. Tani dua të kaloj në një plan tjetër. Prestig Resort nuk është vetëm një vend pushimi, por ky vend ka qenë një nga vendet më të preferuara për t’u rekomanduar. Ofron shërbim cilësor që është për t’u admiruar. Jam e bindur plotësisht, se tashmë Prestig Resort do të ketë të memorizuar për brezat që po vijnë atë histori të atyre ditëve, që i hapi dyert e hotelit për të pritur këta shqiptarë të dëmtuar nga tërmeti. Jo vetëm me ushqim dhe strehim, por edhe me asistencë mjekësore. Kontributi ka qenë i jashtëzakonshëm!”, tha avokatja Beqiri.

Psikologia e emisionit Almeida Xhaferi, tha se strehimi është pjesa më e rëndësishme për banorët e prekur nga tërmeti.
“Mendimi i parë që më erdhi në pamje të parë ku janë akomoduar këta banorë, ishte: sa me fat që janë: këto familje kanë humbur strehimin, kanë humbur rutinën e tyre. Në një vend të tillë kaq komod janë të vetëdijshëm se është i përkohshëm dhe do iu duhet t’i kthehen realitetit të tyre. Ata duhet të rifillojnë rutinën. Fëmijët duhet të fillojnë shkollimin. Kemi parasysh, se të gjithë kemi vuajtur këto ditë nga sindroma e lëkundjes. Kemi përjetuar ankth dhe panik. Përsonat më të ndjeshëm që e kanë përjetuar në mënyrë më dramatike këtë situatë janë mosha e tretë dhe fëmijët. Me fëmijët këto ditë duhet të jemi shumë të kujdesshëm. Fëmijët e vegjël kur shikojnë të rritur në panik, mendojnë se do ndodhë diçka edhe më keqe. Ndërkohë që janë të rriturit që duhet t’iu thotë se do gjejmë banesa më të mira, kemi shëndetin, kemi të ardhura për të përballuar një banesë me qira. Fëmijët kanë shumë nevojë për ta dëgjuar këtë gjë. Fëmijët i përjetojnë në mënyrë katastrofike situata të tilla dramatike”, tha psikologia Xhaferi.

Sipas opinionistes Helena Halilaj, nëse flasim për jetë e individit kemi parasysh që përbehet nga shumë kujtime. “Këto histori i kemi kaluar në periudhën e Kosovës. Është shumë e rëndësishme për familjet ku janë vendosur. Do ketë një farë përmbysje të jetesës së tyre. Nga një herë në dhimbje njohim bashkëjetesa të largëta. Ka miqësi të mëdha që krijohen në ambiente të tilla. Ata do kenë çfarë tju tregojnë fëmijëve të tyre. Pavarësisht të gjithë këtyre elementëve të vështirë, në një farë formë kemi mundësi të njohim familjet që na mbështesin, të njohim këta biznesmenë që ndihmojnë familjet e prekura nga tërmeti. Kjo është një bashkëjetesë zemre!”, tha Halilaj.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb