Autoritetet në Kosovë kanë zbuluar mbetjet e një kufome që dyshohet se i përket biznesmenit të zhdukur prillin e kaluar Bedri Rexhepi në zonën malore të Novobërdës, pranë Prishtinës.

Biznesmeni rezulton i zhdukur që nga 8 prilli i vitit 2021 ndërsa dyshohet se ai është rrëmbyer nga një ish-klient i tij.

Prokuroria e Prishtinës ka deklaruar se eshtrat do t’i nënshtrohen ekzaminimeve të nevojshme për të zbuluar nëse viktima është biznesmeni i zhdukur.

Reagimi i plotë:

Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinion publik  se në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës, konkretisht Njësinë e Hetimeve të Përgjithshme në Prishtinë dhe institucionet e tjera relevante, në vazhdën e hetimeve, janë siguruar prova shtesë lidhur me rastin e “Rrëmbimit” të B.R., me ç’ rast është planifikuar që veprimet hetimore të bëhen edhe në terren me qëllim të identifikimit të lokacionit për gjetjen e personit në fjalë.

Gjatë ditës së sotme, prokurori i rastit së bashku me njësitë policore përgjegjëse, Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK), kanë dalë në një zonë kodrinore-malore të Novobërdës dhe gjatë verifikimit të terrenit është arritur të identifikohet një lokacion i dyshimtë me të cilën pas gjurmimit nga njësitë përgjegjëse janë gjetur mbetje mortore (të dekompozuara), të cilat dyshohen se kanë të bëjnë me rastin e “Rrëmbimit” dhe të njëjtat do t’i nënshtrohen ekzaminimeve të nevojshme për të konstatuar identitetin e këtyre mbetjeve mortore.

Prokurori i Shtetit në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës dhe institucionet e tjera relevante janë duke vazhduar me ndërmarrjen e veprimeve hetimore, andaj lidhur me zhvillimet e tjera rreth këtij rasti do t’iu mbajmë të informuar.​

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb