Një grup prej gati 300 vajzash, që u rrëmbyen javën e kaluar nga një shkollë në veriperëndim të Nigerisë, janë liruar, thanë zyrtarët lokalë të martën.

Vajzat u rrëmbyen nga persona të armatosur nga shkolla në Jangebe e shtetit Zamfara dhe u dërguan në pyll, tha policia. Guvernatori i shtetit tha se grupi është liruar dhe se vajzat janë të sigurta. “Jam i lumtur të njoftoj për lirimin e nxënëseve të rrëmbyera nga robëria”, shkroi guvernatori Bello Matawalle në Twitter. Autoritetet thanë se 279 vajza janë liruar dhe shtuan se shifra e dhënë javën e kaluar nga policia për 317 vajza të rrëmbyera nuk ka qenë e saktë.

Një zyrtar i tha agjencisë së lajmeve Reuters se mospërputhja e shifrave ka ndodhur për shkak se disa vajza kanë ikur menjëherë pasi janë rrëmbyer. Lirimi i grupit u sigurua përmes negociatave midis zyrtarëve qeveritarë dhe rrëmbyesve, thanë autoritetet në shtetin Zamfara. Rrëmbime të tilla kryhen për shpërblim dhe ndodhin shpesh në Nigeri.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb