Në Ditën Botërore të Dhuruesve të Gjakut, Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta vlerësoi sot dhuruesen e përkushtuar, znj.Ina Malhani, me Titullin e lartë “Për Merita të Veçanta Civile”, me motivacionin “Për kontributin e çmuar si dhuruese e përhershme e gjakut, veçanërisht për fëmijët talasemikë; për punën e palodhur në shërbim të njerëzve në nevojë si në vendin tonë, ashtu edhe jashtë kufijve të Shqipërisë, duke u bërë shembull i devotshmërisë, dhembshurisë dhe humanizmit”.

Gjatë ceremonisë së zhvilluar në selinë e Vëllazërisë Ungjillore Shqiptare, në fjalën e Tij përshëndetëse, duke iu drejtuar të pranishmëve, mes të cilëve ishte edhe Arqipeshkvi metropolit Tiranë-Durrës, Imzot George Frendo, Presidenti Meta falënderoi të gjithë dhuruesit vullnetarë të gjakut, të cilët me veprimin e tyre njerëzor dhe fisnik, shpëtojnë çdo ditë jetë njerëzish, u japin shpresë dhe u kthejnë buzëqeshjen fëmijëve talasemikë në veçanti, si dhe të sëmurëve që kanë nevojë për këtë dhuratë të shtrenjtë jetësore.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

“Jam shumë i lumtur që ndodhem sot këtu midis jush për të ndarë dy momente shumë kuptimplote në Ditën Botërore të Dhuruesve të Gjakut.
Së pari dua të falënderoj përzemërsisht Vëllazërinë Ungjillore për dhurimin vullnetar të gjakut, të organizuar përgjatë gjithë këtyre ditëve!
Gjithashtu është kënaqësi të vlerësojmë sot një zonjë të nderuar, Ina Malhani, e cila është bërë një simbol i dhuruesve të përhershëm të gjakut në vendin tonë.
E prita me shumë kënaqësi ftesën për t’i ndarë këto momente së bashku, pasi ato i bashkon një fill i vetëm që është dhurimi vullnetar i gjakut, dashuria e përkujdesja për njerëzit në nevojë.
Bashkësia Ungjillore e vendit tonë përmbyll sot një maratonë dhurimi gjaku, e cila prej 10 ditësh ka udhëtuar nga jugu në veri të Shqipërisë, nga Shkodra në Sarandë, nga Korça në Gjirokastër, për t’u përfunduar sot këtu në Ditën Botërore të Dhuruesve të Gjakut, në kryeqytet.
Ndaj dua t’ju falënderoj nga zemra për këtë veprimtari jo vetëm kuptimplote, por edhe shumë të rëndësishme duke dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në një periudhë mjaft të vështirë kufizimesh pandemie, ku edhe nevojat janë shumë të mëdha.
Me këtë rast falënderoj të gjithë dhuruesit vullnetarë të gjakut, të cilët me veprimin e tyre njerëzor dhe fisnik, shpëtojnë çdo ditë jetë njerëzish, u japin shpresë dhe u kthejnë buzëqeshjen fëmijëve talasemikë në veçanti, si dhe të sëmurëve që kanë nevojë për këtë dhuratë të shtrenjtë jetësore”, deklaroi Kreu i Shtetit.

Duke u ndalur tek figura e Ina Malhanit, Meta tha se sot ne nderojmë zonjën Ina Malhani, në shenjë respekti për përkushtimin e saj dhe të mijëra dhuruesve që edhe në momente të tilla të vështira si pandemia, iu përgjigjën thirrjes për të ndihmuar të sëmurët e për të dhuruar gjak.

“Por, zonja Ina Malhani nuk është vetëm një dhuruese e rregullt e gjakut, ajo është një zonjë që në 30 vitet e fundit ka qenë shembull i çmuar i virtyteve njerëzore, duke kontribuar për familjet e komunitetit rom, njerëzit e sëmurë, të pastrehët, të braktisurit dhe jetimët.
E rritur në shtëpinë e fëmijës në Shkodër, zonja Ina Malhani nuk e ndjeu dashurinë prindërore, por mori dashurinë e edukatoreve të Shtëpisë së Fëmijës dhe të mësuesve të saj.
Me mirënjohje për dashurinë që treguan ndaj saj në fëmijëri, zonja Ina Malhani vendosi ta ndajë këtë dashuri që ndjente në shpirt, me ata që u mungon dashuria prindërore, që u mungon buzëqeshja, që kanë mbetur në rrugë, që nuk shikojnë, nuk dëgjojnë e nuk ecin dot.
Zonja Ina Malhani e filloi veprimtarinë e saj të bamirësisë dhe humanizmit e frymëzuar fort shpirtërisht nga Shenjtorja jonë, Nënë Tereza, nga e cila ka marrë edhe bekimin për punën e saj të palodhur.
Në të gjithë veprimtarinë e saj 30-vjeçare të bamirësisë, zonja Ina Malhani ka vënë në jetë atë që ka thënë Shenjtorja Nënë Tereza: ‘Dashuria s’mund të mbetet vetëm. Nuk ka kuptim. Dashuria duhet të vihet në veprim dhe ky veprim është shërbimi’.
Zonja Ina Malhani, me mirënjohje dhe respekt të pafund për veprën dhe dashurinë e pamatë të Shenjtores Nënë Tereza për të sëmurët e më të varfërit, ka shërbyer si vullnetare në Kalkutë në shtëpinë e parë të themeluar nga vetë Nënë Tereza.
Zonja Ina Malhani nuk heziton të ofrojë nga resurset e saj personale ndihmë për jetimët, të varfërit, të sëmurët, të braktisurit e të pastrehët. Për këtë zonjë, të bësh vepra bamirësie mjafton dëshira dhe mbi të gjitha dashuria.
Faleminderit zonja Ina Malhani! Faleminderit Vëllazërisë Ungjillore dhe njëkohësisht edhe faleminderit Imzot Frendos! Siç na ka mësuar Nënë Tereza : “Asnjë nga ne nuk mund të bëjë ndonjë gjë të madhe, por secili nga ne mund të bëjë një gjë të vogël me dashuri të madhe!”, deklaroi Presidenti Meta.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb