Nëna e shefit të Grupit mercenar rus Wagner, Yevgeny Prigozhin, ka fituar një betejë ligjore për të rrëzuar sanksionet e Bashkimit Evropian që ishin vendosur kundër saj.

Një gjykatë vendosi se nuk kishte asnjë provë që Violetta Prigozhina mbante përgjegjësi për veprimet e të birit, duke i hequr kështu sanksionet e vendosura më herët ndaj saj.

Vendimi në favor të saj është një shembull i rrallë i një individi që kundërshton me sukses sanksionet e BE-së për pushtimin e Ukrainës nga Rusia.

Me deklarata agresive, gjuhë të ashpër dhe udhëtime të shpeshta në vijën e frontit, Prigozhin është bërë një nga fytyrat më të dukshme të luftës, duke rekrutuar mijëra të burgosur për të luftuar për Wagnerin dhe duke u grindur hapur me ministrinë e mbrojtjes ruse për furnizimet me municione.

Por gjykata e dytë më e lartë e BE-së tha se Bashkimi Evropian kishte dështuar të siguronte prova për rolin e nënës në veprimet e tij dhe futja e saj në listën e zezë ishte “bazuar vetëm në marrëdhëniet e tyre familjare”.

Megjithatë, një zëdhënës i BE-së tha se vendimi i gjykatës kishte të bënte vetëm me një listë sanksionesh nga 23 shkurti i vitit të kaluar dhe se një vendim i 14 shtatorit për të rinovuar përcaktimin ishte ende në fuqi.

Prandaj, zonja Prigozhina mbetet subjekt i ngrirjes së aseteve dhe ndalimit të udhëtimit, tha zëdhënësi, duke shtuar se blloku po analizonte vendimin e marrë.

Prigozhin u përgjigj me injorim kur u pyet për vendimin e sotëm, duke thënë: “Për fat të keq, jam në një udhëtim pune në territorin e Donbasit”.

Ai tha se nëna e tij e kishte luftuar vetë çështjen dhe nuk kishte në plan të kundërshtonte sanksionet kundër tij dhe Wagnerit.

“Nuk jam gati t’i sfidoj sanksionet dhe besoj se për momentin janë imponuar me justifikim të plotë”, shtoi ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: