Ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Eduard Shalsi, komentoi në rubrikën “Opinoin”, në News24, vendimin e dakordësuar mes Shqipërisë dhe Greqisë për të çuar në instancat ndërkombëtare çështjen e detit. Ministri Shalsi tha se tashmë për këtë çështje të shumëdebatuar do të respektohen normat dhe standardet ndërkombëtare.

“Nuk e kam ndjekur protestën, dëgjova vetëm disa intervista, që më mbushën me keqardhje. Të protestosh në emër të një kauze dhe të përfundosh duke kërcënuar policinë është e hidhur. U dëgjua sot nga Rama dhe ministri që është rënë dakord për t’iu drejtuar ndërkombëtarëve për cështjen e detit. Ky është fakt. Do të respektohen normat dhe standardet ndërkombëtare përkëtë cështje. Kjo iu mbyll shtigjet të gjithë atyre që hodhën baltë mbi qeverinë.

Jemi të bindur që kemi hapur një rrugë të re të marrëdhënieve mes dy vendeve, kemi një partner strategjik, me të cilin jemi të bindur që do të zgjidhim shumë nga çështjet. Një element shumë i rëndësishëm që u tha në konferencë është edhe fakti që nuk do të shkohet në Bruksel për cështje që i takojnë të dy vendeve. Është rëndë dakord që cfarë shqetësimesh e çështjesh vendet t’i diskutojnë me njëri-tjetrin, pa pasur nevojë që të sensibilizojnë Brukselin, si më parë. Pra, ka një maturi në raport me mënyrën si mendohet të zgjidhen këto çështje. Duhet thënë që kjo qeveri ka dëshmuar seriozitet, vendosmëri dhe këmbëngulje për të zgjidhur problematikat e mbartura me një maturi”, tha Shalsi.

I pyetur nëse dërgimi i çështjes te ndërkombëtarët ka shpëtuar marrëdhënien mes dy vendeve, ministri deklaroi se “Kur dy vende ka mbartur për një kohë të gjatë disa problematika, kur ishte PS që e çoi marrëveshjen e firmosur nga qeveria e mëparshme në Gjyktën Kushtetuese, që vendosi ta rrëzojë, në momentet kur situata nuk po gjente zgjidhje, sigurisht që është gjetje interesante dhe e pranueshme, por edhe si një mënyrë për t’i dhënë fund kësaj problematike, dërgimi te ndërkombëtarët. Këta të fundit do të vendosin”.

Më tej, ministri Shalsi u ndal dhe te situata e krijuar nga pandemia e koronavirusit, duke thënë se qeveria po bën gjithçka që të shmangë një izolim të dytë.
“Të papriturat, pasiguria e ka shoqëruar gjithë menaxhimin e situatës kudo në botë. Bota u kap e papërgatitur nga ky virus. U vendos që në krye të herës që mes betejës shoqërore dhe asaj ekonomike, do të prevalonte lufta ndaj koronës. Bllokimi i atëhershëm impaktoi ekonominë, aq sa sot kemi një rënie të GDP drastike, shifra mund të jetë një apo dy shifrore, por ka prekur edhe vendet më të zhvilluara. Gjatë karantinës aktiviteti ekonomik u bllokua, pavarësisht se ne lejuam disa sektorë të funksiononin. Megjithatë rënia ekonomike ishte e dukshme dhe e lartë”, u shpreh ai.

Pyetje: Po pikat e Bashës për zgjidhjen e krizës…
Shalsi: Janë aq në kundërthënie sa nuk mund ta imagjinosh. Është problem i tyre mungesa e të artikuluarit dhe të kuptuarit. Shqipëria është me fat që nuk ka atë lloj qeverisje. Ne do të donim shumë ta shmangnim një izolim të dytë. Masa për mbajtjen e maskës nuk është një masë që po e marrim vetëm ne. Jemi munduar t’iu referohemi vendeve më të fuqishme në botë. U shastisa dje kur dëgjoja Presidentin që fliste për shkelje të së drejtës së njeriut për mbajtjen e maskës. Më sa paku do të ketë qenë i pa azhornuar se çfarë ndodh në botë. Ne dolëm nga një betejë me kokën lart, ndërkohë që pamë të gjunjëzohen vende me ekonomi shumë më të qëndrueshme. Fatmirësisht janë me gishtat e dorës ata që shkelin masën për maskën, ndërkohë që kemi një mirëkuptim total nga populli. Është një masë, një mjeti domosdoshëm për të kufizuar përhapjen e pandemisë. Duam të shmangim atë që ndodhi në mars, prill dhe maj të këtij viti.

Pyetje: A i keni marrë në konsideratë 5 pikat e Bashës për daljen nga kriza?
Shalsi: Kur kemi parë dhe dëgjuar qëndrimet opozitare në fillim të pandemisë ishin krejtësisht jokonstruktive, në rastin më të mirë, dhe manipulative, në rastin më të keq. Pamë një opozitë dekonstruktive, që kërkoi të ngjallte rebelizëm te njerëzit. Duke parë sjelljen e opozitës, edhe unë personalisht e kam humbur interesin, se kur dëgjon që ja fut kot, hallakatet dhe nuk ka një shënjestër të qartë, ndoshta nuk është normale, por nuk e kam idenë për çfarë flet.

Cili është plani konkret për të ndihmuar biznesin?
Shalsi: Ne e kemi nisur me paketat. Kemi prezantuar paketa të mira, që i erdhën në ndihmë biznesit e punonjësve. Ndërsa tani që po përgatisim buxhetin, jemi në një rritje mesatare me 4-4.1%. Do të vijojmë me investimet në infrastrukturë, turizëm. Do mundohemi ta bëjmë kredinë me kosto sa më të lehta dhe të përballueshme, me ndihmën edhe të BE. Kjo i jep një nxitje të gjitha ekonomive në Ballkanin Perëndimor. Shpresojmë që programi të fillojë sa më shpejt, programi me fondet e BE është në periudhën 2021-2027.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb