TIRANE-Prokurori Sokol Stojani ka reaguar pas lajmit se ai është shkarkuar nga detyra nga kryeprokurorja Arta Marku si pjesë e procedimit të 10 prokurorëve që refuzuan shortin për çështjen Shullazi.

Sokol Stojani është një ndër drejtorët kryesorë të Prokurorisë së Përgjithshme i cili u lirua nga detyra më 19 shtator, sipas një urdhëri të rrjedhur në media të Prokurores së Përgjithshme, Arta Marku.

Largimi i Stojanit, i cili mbante prej 9 muajsh postin e drejtorit të Inspektimit, Burimeve Njerëzore dhe Mbrojtjes së Dëshmitarëve u komentua me situatën e krijuar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, por vetë ai në një bisedë telefonike me “BIRN” mohoi që çështja e tij të kishte lidhje me procedimin e 10 prokurorëve. Stojani sqaroi se kishte dhënë dorëheqjen, por kishte marrë si përgjigje lirimin nga detyra.

“Mëngjesin e 19 shtatorit, unë kam paraqitur në zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm  dorëheqjen nga pozicioni që unë kisha. Pasdite mësoj se kjo  dorëheqje u miratua duke më shkarkuar nga detyra. Motivet e dorëheqjes janë thuajse personale, unë kam pikëpamje tjetër në drejtimin e një institucioni, në mënyrën e funksionimit apo dhe të rekrutimit të burimeve njerëzore, ndaj dhe e pashë të arsyeshme të largohesha,” tha Stojani.

BIRN raporton se Zyra e Shtypit e Prokurores së Përgjithshme nuk iu përgjigj pyetjeve mbi dorëheqjen e një prej drejtuesve kryesorë të këtij institucioni.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: