Atentati i sotëm në mbikalimin e Fushë-Krujës i mori jetën Brilant Martinaj, trupi i pajetë i të cilit së bashku me Besmir Hoxhën u shkrumbuan brenda automjetit me të cilin udhëtonin.

Brilant Martinaj nuk është emër i panjohur për policinë pasi ai rezultonte në kërkim për vrasjen e efektivit të FNSH-ve Xhulio Prela, por edhe një tjetër ish-efektivi të uniformave blu, 60-vjeçarit Xhelal Reçi.

Brilant Martinaj ishte një prej personave të dyshuar për vrasjen që tronditi qytetin e Laçit në orët e para të mëngjesit të 1 nëntorit të vitit të shkuar.

Asokohe, rreth orës 07:23, persona të armatosur i bënë atentat 60-vjeçarit Xhelal Reçi, në afërsi të një bank dhe ish-polici nuk arriti t’i shpëtonte plumbave të marrë.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Në gusht të 2020, djali i Xhelalit, Besniku, ishte ai që i kishte shpëtuar një atentati të mirëorganizuar teksa ishte duke udhëtuar në rrugën Lezhë-Shëngjin bashkë me dy fëmijët e mitur dhe bashkëshorten kur dy persona të armatosur me motor, e ndoqën dhe tentuan ta vrisnin.

Ndërkohë sa i përket vrasjes së babait të tij, policia në Laç mori në pyetje pak kohë pas ngjarjes ish-kolegun polic të tij, shtetasin Faik Martinaj.

Këtij të fundit i ishte plagosur i biri dy vite para vrasjes së Reçit dhe për ngjarjen ishin të dyshuar dyshuar djemtë e 60-vjeçarit.

“Me të nuk kam pasur konflikte apo probleme. Djali im ndodhet në Kosovë”, ka dëshmuar asokohe Faik Martinaj, pasi kishte konfirmuar se kishte punuar në të njëjtin Komisariat me Reçin.

Vrasja e Xhelal Reçit u filmua nga një kamerë sigurie, por pamjet nuk kanë ndihmuar në identifikimin e autorëve, të cilët mbanin në kokë kapele dhe mbulonin fytyrën me maskë anti-Covid.

Ndërkohë gazetarja Klodiana Lala gjatë prononcimit nga mbikalimi i Fushë-Krujës ku ndodhi atentati i sotëm, zbuloi se emri i Brilant Martinaj ka qenë i dyshuar se kishte të bënte me vrasjen e ish-oficerit të policisë Xhelal Reçi.

Sipas gazetares, nga vrasja e ish-policit Xhelal Reçi ka pasur disa vrasje që besohet se kanë qenë lidhje e Brilant Martinaj dhe kushëririt të tij të parë Ervis Martinaj, edhe ky i shpallur në kërkim ndërkombëtar pas dëshmisë së Nuredin Dumanit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb