Në programin e kësaj jave në “Dola te Ola” ishte e ftuar artistja e mirënjohur dhe aq e dashur për të gjithë Myfarete Laze.

Këngëtarja ishte e ftuar speciale në Festivalin e 60 të Këngës, ku interpretoi në natën e dytë në krahë të vëllezërve korçarë këngën “Triumfi i Jetës”.

Myfarete Laze komentoi Festivalin dhe shprehu keqardhje që vlerat e vërteta artistike po shkatërrohen. “U shokova nga çmimet”, tha ajo teksa shtoi se në Festival vlerësimet u bënë nga një juri jo profesionale dhe se nuk mund të lihet gjithçka në dorë të 5 poetëve.

Ndërkohë për këngën “Triumfi i jetës” këngëtarja tha se në momentin që e kishte dëgjuar për herë të parë ishte emocionuar dhe përlotur, pasi i ishin kujtuar të gjithë miqtë që humbën jetën fatkeqësisht nga Covid-19.

Myfarete Laze u shpreh e emocionuar për pjesëmarrjen e saj në natën e dytë të Festivalit, dhe zbuloi se sa herë e mendon falënderon Zotin për këtë dhuratë të bukur që i ka bërë.

Kujtojmë që çmimet në Festivalin e Këngës gjithmonë janë diskutuar dhe ka patur pakënaqësi nga artistët për mënyrën se si janë përzgjedhur këngëtarët pjesëmarrës si fillim dhe sesi ata janë vlerësuar. Edhe vetë Myfaretja kujtoi rastin kur me këngën “Pragu i vegjëlisë” u vlerësua me çmimin e tretë në Festival, por ajo këngë ende sot e kësaj dite është mjaft e pëlqyer dhe i ka rezistuar kohës.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb