Ish-deputetja e LSI, Silva Caka, ka shprehur indinjatën e saj për pushimin e çështjes nga Prokuroria e Tiranës, lidhur me shoqërimin në komisariat të katër personave, përfshirë dhe të, në ditën e shembjes së Teatrit Kombëtar.
Përmes një statusi në “Facebook” Caka e cilëson si skandaloze pushimin e hetimit, pasi sipas saj ekzistojnë prova që ndaj tyre është ushtruar dhunë.

Ajo mori rastin e gazetarit Alfred Lela, i cili atë ditë u shoqërua me forcë nga policia.

Ndër të tjera, ish-deputetja ka nënvizuar se edhe pse çështja është pushuar nga Prokuroria e Tiranës, ajo nuk do e ndalë betejën ligjore.

Postimi i plotë:

“Prokuroria e Tiranës vendos të kërkojë pushimin e çështjes së shoqërimit tim dhe 4 personave të tjerë në komisariat, ndër ta edhe gazetari Alfred Lela, në ditën e shembjes së Teatrit Kombëtar!?
Arsyetimi është ”mungesë provash” për kryerjen e veprimeve arbitrare!!!
Skandaloze!
Çfarë provash kërkon më shumë prokuroria, kur filmimet janë aty dhe tregojnë arbitraritetin e veprimeve, si në momentin e kapjes, ashtu edhe gjatë shoqërimit?
Çfarë provash kërkon më shumë prokuroria kur ekziston një raport mjeko-ligjor, i cili paraqet dëmtime mbi 9 ditë???
A i kërkoi të gjitha provat Prokuroria, pasi nga shqyrtimi i kërkesës për pushimin e çështjes, më rezulton se Prokuroria ka thirrur për marrje në pyetje vetëm njërën palë, vetëm efektivët e Policisë, të cilët për asnjë arsye në botë nuk do t’a ‘lëshonin’ njëri-tjetrin?
Pse Prokuroria nuk ka kërkuar të dëgjojë dëshminë e Alfred Lelës, i cili u masakrua nga dhuna policore?
Pse Prokuroria nuk ka kërkuar të marrë dëshminë e 2 djemve, që u shoqëruan dhe dhunuan vetëm pse hynë për të ndaluar shoqërimin tim të padrejtë?
Pse Prokuroria nuk ka thirrur për dëshmitar okular bashkëshortin tim, i cili ishte dëshmitar i dhunës së ushtruar në makinën e Policisë?
Si është e mundur që Prokuroria nuk pasqyron në procesverbalet e përballjes mes palëve përpara OPGJ-së, kërkesën për falje të efektiveve të Policisë? Pse kërkon falje dikush që nuk ka bërë asnjë faj??
Si është e mundur që deri përpara 2 muajsh efektivet e Policisë, përfshirë në këtë çështje, nuk gjenin rehat duke ”futur” njerëz për të mbyllur procesin, me argumentin se shefat e tyre i kishin braktisur në këtë çështje, ndërsa sot çështja kërkohet të pushohet sa hap e mbyll sytë??
Unë do t’a vazhdoj këtë betejë ligjore deri në fund edhe pse besimi im në institucionet e drejtësisë, ka kohë që ka marrë fund!!
I bëj thirrje Gjykatës për objektivitet në gjykim, të çlirohet nga ndërhyrja e niveleve të larta të politikës dhe të japë drejtësinë e duhur për qytetarët!
Një veprim i tillë inkurajon militantët e Policisë të rrahin e të vrasin këdo që u del përpara, por në mënyrë absolute nuk do të na ndalë ne, për të rezistuar ndaj paligjshmërisë!
T’a harrojnë sot e mot! Përballë do na kenë në çdo hap të paligjshëm që do hedhin!”

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb