Pa u mbushur as dy vite nga lirimi me kusht nga gjykata e Krujës, Indrit Dokle, ish-kreu i njërit prej fraksioneve të bandës së Durrësit, i dënuar me burgim të përjetshëm është në telashe të reja me drejtësinë shqiptare.

Mbrëmjen e së shtunës, rreth orës 20:00 ai u shoqërua për disa orë në policinë e Tiranës, pasi u kap duke udhëtuar me makinë të blinduar në shoqërinë e të kërkuarit Fatjon Murati dhe kunatit të tij Gentian Reçi. Pas disa orësh, marrje në pyetje Dokle dhe Reçi u lanë të lirë, ndërsa Fatjon Muratit iu vunë pranga.

Ai ishte në kërkim, pas dyshimeve se posedonte armët e gjetura në një kompleks në një nga zonat më të shtrenjta të Tiranës. Në kuadër të operacionit ku u zbulua baza e armatimit, ku u sekuestruan disa pistoleta dhe silenciatorë, u arrestua Kristin Gjini nga Laci.

Krahas faktit që ishte në kërkim për armët, emri i Fatjon Muratit, sipas raportimit të bërë me herët nga News24, u lakua pas vrasjes së trefishtë të ndodhur tek mbikalimi i Fushë-Krujës mesditën e 17 korrikut, kur viktima mbetën Brilant Martinaj, Dikler Vata dhe Besmir Hoxha.

Policia bëri njoftim për ndalim në kufi dhe kërkonte pyetjen e Murataj, të Indrit Dokles dhe kunatit të këtij të fundit, Gentian Reçi, nën dyshimet se mund të kishin dijeni për ngjarjen, përderisa ishin në konflikt të ashpër me Ervis Martinaj.

Dokle dha shpjegime në lidhje me ngjarjen afro 3 javë më parë në policinë e Dresit, ndërsa Murataj me gjasë do të pyetet tashmë që është vënë në pranga. Ai pritet të dalë Brenda afatit ligjor për masë sigurie në gjykatë, ndërsa hetimet për Doklen e Reçin vijojnë.

Indrit Dokle rifitoi lirinë me kusht nga gjykata e Krujës afro 2 vite me parë, ndonëse ishte dënuar me burg përjetë. Emri i tij doli sërish në skenë, pas dëshmisë së të penduarit Nuredin Dumani, i cili tha Ervis Martinaj i kishte premtuar shumën prej gjysmë milioni euro për ta eliminuar ish-të dënuarin.

Në kuadër të operacionit “Plumbi i Artë”, Martinaj, 40 vjeç u shpall në kërkim dhe prej 2 muajsh fati i tij mbetet mister, pasi familja pretendon se ai mund të jetë rrëmbyer dhe vrarë nga kundërshtarët gjatë kohës që ishte në arrati.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb