Ky është Ruzhdi Bajrakurti, një ish-polic në Shkodër i cili prej 5 vitesh është i papunë. Shkak u bë një procedim i tij në 2019-ën për ndërtimet pa leje gjatë kohës kur shërbente në postën e Velipojës.
Ende pa u bërë një vit, Prokuroria pushoi çështjen duke bërë që Bajrakurti të jetë i pafajshëm, madje duke marrë edhe kompensim monetar për ditët e qëndrimit në paraburgim. Pavarësisht kësaj, Drejtoria e Standardeve në Policinë e Shtetit e përjashtoi ish-efektivin Bajrakurti, vetëm 15 ditë pas arrestimit të tij, duke shkelur ligjin e Policisë së Shtetit dhe rregulloren e disiplinës dhe duke vepruar me standard të dyfishtë sepse shumë efektivë të tjerë të arrestuar fillimisht janë pezulluar.
Ish-polici Bajrakurti prej 4 vitesh ka depozituar në Gjykatën Administrative të Apelit një kërkesë për rikthimin në punë, por dosja e tij ende nuk është marrë në shqyrtim, edhe pse kanë kaluar 4 vite, ndërsa një apel ka edhe për Policinë e Shtetit dhe Avokatin e Popullit.
Bajrakurti u procedua në 2019-ën me prova fiktive të vërtetuara më pas nga Prokuroria e Shkodrës. Ndërtimet pa leje ishin shkruar në procedim sikur ndodheshin në fshatin Rrjoll, por në të vërtetë rezultuan në plazhin e Velipojës ku ish polici nuk e ka mbuluar asnjëherë si zonë dhe kjo vërtetohet edhe nga grafiku i punës i postës së policisë të Velipojës.
Ruzhdi Bajrakurti ka shërbyer për mbi 30 vite në Policinë e Shtetit dhe tashmë prej 5 vitesh ka mbetur i papunë për shkak të një procedimi të padrejtë, nga ku doli i pafajshëm. Pavarësisht kontributit të tij 30 vjeçar, jo vetëm se u përjashtua brenda 15 ditësh duke shkelur rregulloren, por asnjëherë deri më sot nuk u rikthye në punë, edhe pse doli i pafajshëm ende pa u bërë viti.
(Balkanweb)