Izmir Smajlaj, kampioni i Europës në kërcim së gjati është pritur sot nga Ministrja e Arsimit dhe Sporteve Lindita Nikolli. Përveçse Nikolla e vlerësoi 23 vjeçarin për arritjen mbreslënëse në garat e zvvilluara në kryeqytetin serb, Beograd, tha se qeveria do të ndërmarë hapa të metejshëm për t’i siguruar mbështetje që në të ardhmen të synohen objektiva edhe më madhorë.

“Ne do të mbështesim me zemër dhe jo vetëm, në mënyrë që ti të vijosh stërvitjen dinjitoze, e pse jo, të shpallesh edhe kampion bote. Na ke dhënë një shtysë të fortë që të bëjmë edhe më shumë për sportin”, tha ministrja.

Vetë Smajlaj nuk e fshehu mirënjohjen e tij për mbështetjen dhe premtimet që i janë dhënë, sidomos në këtë periudhë pas suksesit në Europian: “Shpërblim do të ketë sepse është e caktuar me ligj. Thjesht po pritet përgjigjja e antidopingut. Më tej, i di vetë shteti punët”.

Përfitimin financiar në bazë të ligjit prej 4 milionë lekësh, Izmir Smajlaj do ta marrë pas mbërritjes së përgjigjes së analizës së dopingut, e cila ka një afat rreth 2 javë pas garës.

Pritja në Ministrinë e Arsimit e Sporteve nuk ishte i vetmi event ku mori pjesë Izmir Smajlaj. Kampioni i Evropës në atletikë u takua edhe nga drejtuesit e Komitetit Olimpik Kombëtar. Në të njëjtën kohë, në adresë të Federatës Shqiptare të Atletikës erdhi edhe një urim nga legjenda e atletikës botërore, 9 herë kampioni olimpik, Karl Ljuis: “Zoti Ruli, dua t’ju komplimentoj për arritjet tuaja në atletikë, në mënyrë të veçantë në kërcim së gjati. Urime! Me respekt, Karl Ljuis”.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb