Gazetari i News24, Erjon Skëndaj, rrëfeu emocionet e çmimit “Reporteri i Vitit”, që iu dha ditën e djeshme nga Unioni i Gazetarëve Shqiptarë.

I ftuar në rubrikën “Opinion”, në News24, gazetari tha se ky është çmimi i tij i parë, por edhe shumë i rëndësishëm, pasi i jepet në një vit shumë të vështirë për shqiptarët.

“Ndjehem shumë mirë, është çmimi im i parë, dhe pikërisht në këtë vit, ku sapo dolëm nga tragjedia e madhe e tërmetit dhe tani u desh të përballemi dhe me këtë sëmundje, që është një flamë botërore. Jam përpjekur të jem realist dhe të them të vërtetën”, tha gazetari Skëndaj.

Pse ua dedikove dy kolegëve tanë që janë ndarë nga jeta?
Me Mandin dhe me Lulin kam pasur lidhje shumë të forta dhe do doja që të ishin e ta ndanin gëzimin me mua. Kemi qenë bashkë në përmbytjet në Shkodër, tërmetin në Dibër, pra në ngjarje shumë të dhimbshme që ka përjetuar vendi ynë dekadat e fundit. Ndoshta gazetari i merr meritat edhe pa të drejtë, sepse ai është pjesë e një trupe. Operatori është shumë i rëndësishëm, shoferi po ashtu, dhe të tre si grup mbështesim njëri-tjetrin. E kisha si obligim, detyrim moral, si vlerësim për këta njerëz pas kuintave. Më ka lënë një brengë shumë të madhe largimi i tyre nga jeta dhe do doja të isha mirënjohës për ta.

Karriera juaj në gazetari…
E kam nisur karrierën që në vitin 2000 në radio, më pas nisa universitetin. Më pas nisa punë në qytetin tim Kavajë. Pastaj falënderoj ish-drejtuesit e News24, që më morën nga rrethi e më sollën këtu. Falënderoj edhe mësuesit aktualë, që nuk më kanë shqetësuar kurrë. Unë kam bërë dhe emision në studio, por terreni më jep frymëmarrje. Edhe kur isha në studio, dola në terren, kur ishin përmbytjet. Në terren puna vazhdon edhe pas orarit zyrtar, pasi ne bëhemi pjesë e problematikave të qytetarëve. Ne jemi vetë popull, kemi dhe ne ato halle që transmetojmë. Jam përpjekur të jem gjithmonë me zërin e qytetarëve.

Emocionet të kanë mbërthyer edhe ty, siç ishte rasti i tërmetit tragjik…
Ishin ngjarje shokuese për këdo. Për ne që ishim aty dhe i pamë teksa dilnin nën rrënoja, ishte tronditëse, rrëqethëse. Donim dhe ne të bënim më shumë, ta linim mikrofonin dhe të ndihmonim, po çfarë mund të bënim më shumë. Gazetari fjalën ka. Jemi përpjekur dhe të lëvizim gurë. Ne do jemi gjithmonë me popullin, edhe pse mund të mos iu pëlqejnë fjalët tona politikanëve.

A ka ndodhur të pendohesh për profesionin?
Asnjëherë. Unë jam pak idealist. Mendoja se gazetaria duhet të jetë aleat shumë i fortë i popullit dhe e kam parë gjithmonë si një dritare, ku njerëzit të mund të shprehen dhe sa më i fortë të jetë zëri, aq më shumë lëvizin gjërat në anën tjetër, në atë murin e fortë të politikanëve.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb