Një 48-vjeçar ka rënë në prangat e policisë së Kosovës, pasi akuzohet për mashtrim.
Bëhet fjalë për shtetasin me inicialet S.G., i cili dyshohet për veprat mashtrim, prezantim i rremë, shantazh, falsifikim të dokumenteve si dhe manipulim të provave.

Sipas KosovaPress raporton se i arrestuari ka të bëjë me rastin e zhdukjes së biznesmenit Bedri Rexhepi. I dyshuari i arrestuar iu është prezantuar familjarëve të biznesmenit të zhdukur si agjent i CIA duke kërkuar të holla për zbardhjen e rastit. Mirëpo i njëjti është lajmëruar në institucione dhe ka qenë nën vëzhgim dhe pas hetimeve është arrestuar me urdhër të prokurorit.
I dyshuari me aktvendim mbi ndalimin e personit të arrestuar, të nxjerrë nga ana e prokurorit të shtetit, është dërguar në mbajtje prej 48 orësh për t’u proceduar më tej në fazat vijuese të procesit hetimor.

Njoftimi i policisë:
“Sipas informacioneve të konfirmuara deri më tani, i dyshuari duke shfrytëzuar rrethanat e një rasti tejet të ndjeshëm që po hetohet nga ana e policisë, ka kontaktuar familjarët e viktimës duke provuar t’i vë në lajthim dhe duke u prezantuar rrejshëm si person zyrtar, madje edhe si agjent i huaj, ka kërkuar nga ta favore monetare, kinse për zbardhjen e rrethanave të caktuara të rastit. Menjëherë pas marrjes së këtyre informacioneve, njësia e hetimeve të përgjithshme e rajonit të Prishtinës, në koordinim me Prokurorin e Shtetit, me shpejtësi ka kryer veprime hetimore preliminare si dhe veprime të tjera operative që rezultuan me identifikimin, kapjen dhe arrestimin e të dyshuarit”.

Për pak ditë bëhen katër muaj nga zhdukja e biznesmenit Bedri Rexhepi. Ai kishte dalë nga shtëpia e tij pasditen e 8 prillit për të mos u kthyer më. Institucionet përgjegjëse deri më sot kanë pasur rezultate konkrete në zbardhjen e këtij rasti dhe gjetjen e 38-vjeçarit. Njohësit e sigurisë vlerësuan se rasti i tij po neglizhohet nga organet e sigurisë. Lidhur me zhdukjen e Bedri Rexhepi tashmë është arrestuar, Jeton Vllasaliu, i cili po qëndron në paraburgim.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb