Presidenti Ilir Meta foli në “Syri tv” për nismën e tij “Dialogu me Shqipërinë”, për të cilën tha se kërkon reflektim, por jo përplasje.

“Unë nuk uroj përplasje, uroj reflektim. 8 dhjetori ka qenë thirrje për të përkujtuar, për të dhënë një mesazh dhe vendosur një dialog. Nuk është momenti tani se jemi në situatë të jashtëzakonshme”, tha Meta.

I pyetur nëse kjo nismë e Metës shërben si një testim për të parë pakënaqësitë ndaj qeverisë dhe opozitës, Meta tha se ai i bën kalkulimet si president, jo si politikan.

Në lidhje me pyetjen për sigurinë e tij, Meta tha: “Unë kam një fat të madh që kam lindur në malet e Skraparit. Nuk ka presion që më thyen për Shqipërinë, për popullin dhe për Kushtetutën. Te Gjykata Kushtetuese nuk toleroj”, ishte i prerë Meta.

Kreu i shtetit komentoi edhe një lajm në media se ishin votat e LSI për shtatë ligjet e reformës në drejtësi, që e kanë sjellë situatën në këtë pikë.

“Nuk i kanë dhënë shtatë ligjet asgjë këtij pushteti. Normalisht duhej të votoheshin me opozitën. Edhe ato 140 vota, u bënë te zyra ime. Opozita ndoqi një kurs jo të arsyeshëm dhe jo normal. Edi Rama ishte i vendosur të kapur institucionet dhe opozita vendosi të delegjitimojë çdo gjë. Opozita ka kontributin në krijimin e një hapësire të kontrollit të gjithë institucioneve”, tha Meta.

Meta komentoi edhe propozimet ligjore të mazhorancës për të kufizuar të drejtat e betimit.

“Ata duan të bëjnë drejtësinë e Lanës. Duan të spostojnë vëmendjen. Kjo është punë e tyre. Duan që të gjitha vendet t’i bëjnë kundër hapjes së negociatave, kjo është punë e tyre”, deklaroi ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb