Më 4 mars “San Siro” ishte parashikuar të ishte ‘sold-out’ pasi në orën 20:45 Milan do të priste Interin për të luajtur derbin e Madoninës, por për shkak të fatkeqësisë së Davide Astorit ndeshja u shty.

Pak javë më parë liga italiane vendosi që kjo superpërballje të luhej më 4 prill. Edhe pse dy skuadrat kanë pësuar shumë ndryshime nga kohët e arta të tyre dhe nuk kanë në organikë ‘yjet’ që çmendin botën, sërish raportohet se interesi për këtë sfidë do të jetë i madh si brenda dhe jashtë Italisë.

Në fakt sfida e së mërkurës d o të transmetohet në 181 vende të botës dhe do të mbërthejë para ekranit 728 milionë persona. Ata që janë më me fat, janë 75 mijë personat që kanë mundur të gjejnë biletat për të ndjekur këtë supersfidë në shkallët e Giuseppe Meazzas në San Siro.

Interesi për derbin e Madonninës do të jetë i madh edhe në Hong Kong apo Kinë vendet ku banojnë presidentët kinezë të dy klubeve, ndërkohë që kjo ndeshje padyshim do të transmetohet në të gjithë Evropën dhe Afrikë.

Ndeshja mes Milanit dhe Interit merr një vlerë shumë të madhe për të dyja skuadrat. Kuqezinjtë janë 8 pikë larg Interit dhe një fitore ndaj zikaltërve u jep mundësinë të mbajnë gjallë ëndrrën për zonën Champions si dhe të jenë plotësisht në garë për atë të Europa League.

Nëse do të jetë Interi ai që do të fitojë, atëherë zikaltrit do të ngjiten në vendin e tretë me 1 pikë më shumë se Roma. Ndërkaq ka ndryshuar edhe gjendja e skuadrave në prag të këtij derbi.

Një muaj më parë Interi vinte në këtë përballje pas një sërë barazimesh e disfatës në Xhenova, ndërsa tani është në një formë shumë të mirë me 8 gola të shënuar në 2 ndeshje duke mposhtur bindshëm Sampdorian e Veronën.

Kujtojmë se po nesër në orën 20:45 do të luhen edhe dy sfida të “Champions League”, Roma-Barcelona dhe Liverpool-Manchester City. Interesimi i telespektatorëve për derbin e Milanos pritet të ulë interesin për këto dy sfida, që gjithsesi pritet të dhurojnë shumë spektakël në fushën e lojës.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb