Akademia e Shkencave shpreh ngushëllime për ndarjen nga jeta të akademikut dhe peshëngritësit të njohur, Gudar Beqiraj.

Përmes një mesazhi të gjatë në “Facebook”, ASH thekson se Beqiraj ndërroi jetë nga një sëmundje e papritur, duke e cilësuar atë si anëtarin e Asamblesë me më shumë gjurmë në jetën institucionale të Akademisë së Shkencave.

“Gudar Beqiri ishte njeriu i kërkimit dhe i pasioneve, i punës dhe drejtimit shkencor, i përgjegjësive administrative dhe vullnetarizmit olimpik, i ekspertizës në fushën e informatikës aplikative brenda dhe jashtë vendit”, thuhet në mesazhin e ASH.

Mesazhi i plotë:

Ndërroi jetë në mënyrë të papritur akademiku Gudar Beqiraj

Kryesia e Akademisë së Shkencave njofton me hidhërim të thellë se akademiku Gudar Beqiraj ndërroi jetë nga një sëmundje e papritur.
Gudar Beqiraj ishte një nga anëtarët e Asamblesë me më shumë gjurmë në jetën institucionale të Akademisë së Shkencave.

Ndarja e tij nga jeta është një humbje e madhe për Akademinë tonë të Shkencave, për bashkësinë e studiuesve të fushave ku ai veproi, për miqtë e shumë në universitete brenda dhe jashtë vendit, për qytetarët e shumtë me të cilët e patën lidhur interesat e tij të fuqishme dhe ndjenjat e fisme njerëzore.

Gudar Beqiri ishte njeriu i kërkimit dhe i pasioneve, i punës dhe drejtimit shkencor, i përgjegjësive administrative dhe vullnetarizmit olimpik, i ekspertizës në fushën e informatikës aplikative brenda dhe jashtë vendit.

Akademik Gudar Beqiraj i takon atij brezi që mori formimin bazik në Universitetin e Tiranës dhe u formua e specializua jashtë vendit. I diplomuar në fushën e matematikës, ai plotësoi kualifikimin në fushën e gjeostatikës në Qendrën e njohur të kësaj fushe në Fontainbleau (Francë), duke thelluar njohjen në fushën e krijuar me tezën e doktoratës ”Transformimi Fourier dhe aplikimet e tij”.

Ai është ndër të parët specialistë shqiptarë të formuar në metodat e informatikës së aplikuar në fushën e gjeofizikës (Universiteti Paris VI, Francë), duke vijuar më tej me formimin përmes punës në Universitetin “La Sapienza” (Romë) dhe me drejtimin e projektit informatik katërvjeçar për regjistrimin dhe përpunimin e të dhënave të kadastrës italiane.
Gudar Beqiri ka përfaqësuar dijen vendëse në fushën e informatikës aplikative qysh në vitet 1980, si pjesëmarrës në veprimtari të rëndësishme shkencore ndërkombëtare, si Kongresi III Botëror i Gjeostatistikës (Avignon, 1987); në simpoziumin ndërkombëtar për zbatimin e metodave matematikore në gjeologji-miniera (1989, Çeki); në simpoziumin “Codota” (Leeds, 1990)); në simpoziumin ndërkombëtar për zbatimin e metodave matematikore në gjeologji-miniera (me një vlerësim me medalje argjendi të paraqitjes shkencore, Çeki, 1991).

Që prej tri dekadash akademik Gudar Beqiraj është i përfshirë në ekspertizë dhe oponencë shkencore ndërkombëtare nga institucione jashtë vendit. Vlerësues i jashtëm në programe doktorate në Francë, specialist i ftuar për vlerësimin e projekt-propozimeve në kuadrin e programit “Copernicus” të Komisionit Europian, drejtues në projektet e Komisionit Europian “Seeren”, “Seeren2”, “Isotea”, “Seefire”, “See-grid”, “See-grid2”, “See-grid-sci”, “Ict-web-proms”.

Gudar Beqiraj ka veprimtari universitare të pandërprerë që prej më shumë se katër dekadash, si pedagog i matematikës dhe i informatikës. Ai është autor i shumë artikujve dhe botimeve në shqip e në gjuhë të huaj në fushat ku ushtron veprimtarinë kërkimore-shkencore. Në karrierën e akademikut Gudar Beqiraj numërohen detyra të rëndësishme, që prej atyre të drejtimit shkencor (si dekan) deri tek drejtimi institucional (si drejtor i Institutit të Matematikës Llogaritëse INIMA). Gudar Beqiraj ka drejtuar Akademinë e Shkencave i zgjedhur nga Asambleja në detyrën e kryetarit dhe të zëvendësit.

Përveç veprimtarisë shkencore, universitare dhe administrative, Gudar Beqiraj është një personalitet në fushën e sportit të peshëngritjes, si sportist dhe arbitër (duke përfshirë arbitrimin në kategorinë e parë ndërkombëtare), si president i federatës kombëtare të këtij sporti dhe zëvendëspresident i Komitetit Olimpik Kombëtar, si kryesues i delegacioneve shqiptare në lojërat olimpike, kampionatet botërore, lojërat mesdhetare dhe kampionatet europiane e ballkanike. Për këtë veprimtari ai është nderuar me diploma nderi nga Presidenti i Komitetit Ndërkombëtar Olimpik, si dhe me “Urdhrin Olimpik” kombëtar.

Së fundi kryente detyrën e Rektorit të Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë.

I përjetshëm qoftë kujtimi i njeriut, kolegut, mikut dhe akademikut Beqiraj.

Ash
Ash

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb