Përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, komentoi nga Brukseli konferencën e parë ndërqeveritare për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Gjatë konferencës së përbashkët me kryeministrin Edi Rama dhe komisionerin Oliver Varhelyi, Borell u shpreh se shpreson që kjo konferencë do të mbahet shumë shpejt.

“Nuk ka ende një datë për konferencën e parë ndërqeveritare. Kemi shprehu dëshirën që ajo të ndodhë sa më shpejt. Deri tani nuk kemi një datë të caktuar, pavarësisht faktit që Shqipëria ka bërë shumë përpara. Disa shtete anëtare janë të mendimit se ka ende nevojë për të avancuar më shumë, para se të organizohet kjo konferencë Unë jam besimplotë se ajo do të organizohet shumë shpejt, sa më shpejt të jetë e mundur”, tha Borell.

Nga ana e tij, kryeministri Edi Rama u ndal më gjatë te Maqedonia e Veriut, duke thënë që çështja me Bullgarinë duhet zgjidhur nga historianët, pasi sipas tij, nëse përfshihet politika, do të zgjasë më shumë procesi i integrimit për Maqedoninë e Veriut.

“Qoftë Shqipëria, apo Maqedonia e Veriut, ne kemi vetëm një gjë për të bërë, të vazhdojmë të ecim përpara dhe ta bëjmë të mundur që ndryshimi të ndodhë në vendin tonë, në çdo hap, që institucionet të forcohen, që shteti të funksionojë në mënyrë evropiane dhe qytetarët të jetojnë me standarde të BE. Kjo është ajo çfarë kërkojmë dhe duhet të realizojmë. Më pas, mënyra se si apo kur do ta bëjmë do të materializohet në hapa konkret, si konferenca e parë ndërqeveritare, e dyta, e treta, apo terapia në grup mes nesh dhe këtyre njerëzve këtu, etj. Por kjo nuk varet nga ne. Jetojmë në një kohë të ndryshme, jo më e mira për ne.
Shpresoj fort që do të ecim së bashku në këtë rrugëtim, megjithatë u tmerrova nga sekondi i parë që kuptova që kishin nisur diskutimet mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, sepse është diskutimi më i keq i mundshëm që mund të zhvillohet, ndërkohë që kërkohet konsensus nga BE, sepse është emocional, sepse, sepse…. Shpresoj vetëm diçka, që udhëheqësit e mençur, dhe janë të mençur, të Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë do ta zgjidhin këtë. Nuk mendoj se ata do të presin një shkop magjik nga BE, sepse nuk do të vijë, thjesht duhet të bien dakord me miqtë bullgarë lidhur me atë çka e shkuara, jo tamam ishte, por ne jemi të destinuar të jemi skllevër të së shkuarës. Duhet të merren historianët, akademikët, shoqëria civile, etj. Nëse politika përfshihet, kam frikë se ky do të jetë një tjetër proces, që larg qoftë, do ta bllokojë e lidh Maqedoninë e Veriut nuk e di për sa kohë. Ne do të jemi krah jush”, u shpreh kryeministri Rama.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb