Në emisionin “Me Zemër të Hapur” të autores Evis Ahmeti, në News24 është trajtuar një histori e ndodhur 27 vite më parë në qytetin e Librazhdit, ku 19-vjeçarja Pranvera Doda, u vetëvra me armën e bashkëshortit, punonjës në polici.
Familja e saj pretendon se 19-vjeçarja nuk është vetëvrarë, por akuzojnë dhëndrin si autor të ngjarjes.
Në një lidhje telefonike, motra e të ndjerës, Irma, ka dhënë versionin e saj të ngjarjes.
Irma deklaroi se ditën e ngjarjes ndodheshin në plazh, kur morën telefonatën që motra e saj Pranvera kishte ndërruar jetë.
Ajo pretendon se bashkëshorti i motrës ishte i dhunshëm dhe shpesh herë dhe i alkoolizuar.
Ajo theksoi se martesa e tyre ishte me mblesëri dhe kishin shumë debate me njëri-tjetrin për shkak të xhelozisë, madje Pranvera kishte dashur edhe të divorcohej por nuk e pati mbështetjen e prindërve.
Irma dha edhe një detaje, duke pretenduar se 19-vjeçarja para se të vdiste kishte lënë edhe një letër, të cilën e kishte zhdukur kunati i saj.
“Ngjarja ka ndodhur në Librazhd në qershor të vitin 1998. Ditën e ngjarjes ne ndodheshim në plazh, kur telefonuan dhe na lajmëruan se motra ime kishte kryer vetëvrasje me armën e bashkëshortit pasi ai punonte në polici. Bashkëshorti i saj ishte i dhunshëm dhe shpesh herë i alkoolizuar. Martesa e tyre ishte me mblesëri dhe nuk arritën të njihnin mirë njëri-tjetrin. Si çift kishin shumë debate për shkak të xhelozisë. Ajo la një letër para ngjarjes, por ish-kunati e ka fshehur. Donte të divorcohej por prindërit nuk e mbështetën. Ai e akuzonte motrën time për lidhje jashtëmartesore, por nuk është e vërtetë. Ato ishin vetëm shokë fëmijërie. Ish-kunati mund ta ketë vrarë, nuk është vetëvrasje. Dua që kjo ngjarje të zbardhet.” përfundoi ajo
(BalkanWeb)