TIRANË- Ish-kryeministri Sali Berisha ka akuzuar maxhorancën se iu ka vjedhur shqiptarëve 1.2 miliardë euro nëpërmjet tenderave. Pas fjalës së kreut të Kontrollit të Lartë të Shtetit, Berisha e këshilloi Bujar Leskajn që t’i drejtohej socialistëve dhe kryeministrit Edi Rama me fjalët “o të poshtëruar hajdutë”.

“U ke deklaruar shqiptarëve me dokumente origjinale shtetërore të firmosura dhe të vulosura nga kjo maxhorancë se këta…çdo epitet mund t’u vësh këtyre që janë mbrapa me në krye atë kryehajdutin aty, a ju drejtove në fjalën tuaj ‘o të poshtëruar hajdutë që u keni vjedhur 1.2 miliard euro qytetarëve më të varfër të Evropës’ apo jo. Po shkove tek Mithat Frashërit, shkove tek e vërteta dhe kjo e vërtetë do të detyronte t’i drejtoheshe vetëm në këtë mënyrë atyre që iu kanë vjedhur shqiptarëve 1.2 mld euro vetëm në tendera. Kjo nuk është e dhënë e imja, as e opozitës por institucioneve qeveritare”, deklaroi Berisha.

Ish-kryeministri u shpreh kundër edhe projektligjit për lojërat e fatit që sipas tij është bërë për të favorizuar vëllain e kryeministrit Edi Rama dhe vëllain e ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj. Nuk ka munguar mes deklaratës një thumb për ministrin Pandeli Majko.

“Këta kanë sjellë në parlament një ligj për Olsin dhe Geronin. Do të thotë që të ulet 3 herë tatimi për lojërat e fatit.
Po Pandeli më mirë mos fol se ty edhe të përzënë dhe të kthejnë. Lëre atë punë…
Ndryshimi i ligjit ul taksën për Olsin e Geronin nga 80% të fitimit që kanë ata, do merret vetëm 20%. Pra ulet 4 herë taksa për lojërat e fatit. Shkëlqim Cani për të cilin kam diskonsideratë nuk e pranoi, por ky hajduti me çizme…
Vasilika, keni alergji ndaj të vërtetave si shumicë. Herë tjetër ki parasysh t’u drejtohesh hajdut dhe kryehajdut këtyre”, tha Berisha.

Ndërkaq Leskaj duke iu përgjigjur Berishës tha se KLSH ka bërë punën e saj por s’mund të kalojë në politikë sepse mbron interesat e shqiptarëve.

“I nderuar doktor unë mendoj që unë dhe KLSH e kemi bërë punën kontrolluese. Në nuk mund t’i kalojmë vijat. S’mund të kaloj në politikë. Nëse kaloj në këtë fushë rrezikoja institucionin dhe vërtetësinë. Për ne si KLSH janë interesat e taksapaguesve dhe interesat e shqiptarëve por jo të kalojmë në politikë. Ju falënderoj për sugjerimet”, tha Leskaj.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: