Seanca përgatitore në çështjen e vrasjes së udhëheqësit të Nismës Qytetare “Liria, Demokracia, Drejtësia” (SDP), Oliver Ivanoviq, e cila filloi të premten (4 dhjetor) në Gjykatën Themelore në Prishtinë, është shtyrë për datën 11 dhjetor. Avokati mbrojtës, Dejan Vasiç i tha Radios Evropa e Lirë se, seanca u shty për shkak të arsyeve teknike, duke mos dhënë më shumë detaje.

Në nëntor të këtij viti, Prokuroria Speciale në Prishtinë ngriti një padi të re kundër të dyshuarve për ndihmë në vrasjen e politikanit serb nga Kosova, Oliver Ivanoviç. Kjo është aktakuza e tretë e ngritur në këtë rast, dhe avokati Dejan Vasiç, i cili po e mbron pjesëtarin e policisë Dragisha Markoviç, pretendon se këto aktakuza janë pothuajse të njëjta, pra se ka pasur shumë pak korrigjime që nuk janë thelbësore për çështjen.

Prokuroria Speciale ngriti aktakuzën e parë më 2 dhjetor të vitit 2019 dhe më 11 shkurt të këtij viti u mbajt një seancë përgatitore. Të akuzuarit, Nedeljko Spasojeviç, Marko Rosiq, Rade Basara, Silvana Arsoviq, Dragisha Markoviç dhe Zarko Jovanoviç, u deklaruan të pafajshëm, ndërsa tre të akuzuarit tjerë: Zvonko Veselinoviç, Milan Radoiçiq dhe Zeljko Bojiç, janë ende të lirë. Nënkryetarja e SDP-së, Ksenija Bozhoviç, deklaroi se ajo nuk do të heqë dorë nga kërkesa për të hetuar plotësisht vrasjen e udhëheqësit të tyre.

“Ne do të kërkojmë që të gjenden vrasësit e Oliver Ivanoviqit. Sigurisht se do të marrë kohë sepse siç mund ta shihni, tashmë është viti i tretë, dhe ne po kthehemi në fillim”, tha Bozhoviç për Radion Evropa e Lirë. Ajo përsëriti se vrasja e Ivanoviçit ishte e një natyre politike. Oliver Ivanoviç u vra më 16 janar 2018, me gjashtë të shtëna në shpinë, përpara lokaleve të partisë së tij në Mitrovicën e Veriut.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb