Një hetim publik për vrasjen e gazetares hulumtuese, Daphne Caruana Galizia, në Maltë konstatoi se shteti është përgjegjës për vdekjen e saj.

Raporti, i cituar nga mediat malteze, thotë se shteti nuk ka arritur t’i identifikojë rreziqet në jetën e gazetares dhe të marrë hapa të arsyeshëm për t’i shmangur ato.

Caruana Galizia u vra më 16 tetor të vitit 2017, në një sulm me makinë bombë.

Në vitin 2019, kryeministri i atëhershëm i Maltës, Joseph Muscat, dha dorëheqje, pasi u gjet se bashkëpunëtorë të tij të ngushtë ishin të implikuar në rast.

Caruana Galizia zbuloi rrjete të gjera korrupsioni brenda Maltës.

Familja e saj kërkoi hetime të pavarura publike të vrasjes.

Muscat u dha dritën jeshile hetimeve vetëm disa muaj përpara se të jepte dorëheqje.

Në dy vjetët e fundit, hetuesit dëgjuan dhjetëra dëshmitarë, përfshirë hetues, politikanë dhe gazetarë.

Në konstatimet e tyre, të përmbledhura në një raport prej 437 faqesh, ata thanë se shteti “ka krijuar një atmosferë mosndëshkimi”.

Në raport përmenden “afërsi të pajustifikueshme” midis bizneseve të mëdha dhe Qeverisë malteze.

Deri më tani, vetëm disa individë janë akuzuar për vrasjen.

Në shkurt, një nga tre burrat e akuzuar u deklarua fajtor dhe u dënua me 15 vjet burgim.

Të tjerët nuk kanë dalë ende në gjyq.

/REL

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb