SERBI– Lideri i serbëve në Kosovë, Oliver Ivanoviç, është përcjellë mesditën e sotme për në banesën e fundit. Trupi i tij i pajetë mbërriti dje në Beograd, aty ku edhe u varrost. Qindra qytetarë e përcollën deri në pikën kufitare me Serbinë. Megjithatw, vrasja e politikanit serb Oliver Ivanoviç vazhdon të mbetet e paqartë dhe ende nuk është përmendur asnjë i dyshuar si autor i vrasjes së tij.

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka konfirmuar se të mërkurën ka pranuar një shkresë nga ministria homologe e tij në Serbi. Ai ka sqaruar se shkresa e Ministrisë së Drejtësisë në Serbi nuk kërkon përfshirjen e autoriteteve të Beogradit në hetimin e vrasjes së Oliver Ivanoviçit, por kërkon që prokuroria e shtetit serb të ketë informacione shtesë rreth vrasjes dhe zhvillimit të hetimeve.

Sakaq, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kërkesën e shtetit të Serbisë që të përfshihet në hetime për vrasjen e politikanit serb nga Kosova, Oliver Ivanoviç, e ka interpretuar si “ndihmë” që ky shtet mund të japë në zbardhjen e rastit, njoftojnë mediat kosovare.

Thaçi ka njoftuar përmes një statusi në rrjetin social “Facebook” se gjatë një bisede telefonike me presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiç, kanë rënë dakord për shumë çështje. Një çështje e veçantë, e cila u diskutua ndërmjet dy presidentëve, ishte edhe vrasja e kryetarit të Iniciativës Qytetare “Liria, Demokracia, Drejtësia” (SDP), Oliver Ivanoviç.

Lidhur me këtë çështje presidenti Thaçi ka siguruar presidentin Vuçiç se organet përgjegjëse të prokurorisë dhe policisë janë duke bërë hetime intensive për zbulimin dhe sjelljen përpara drejtësisë të atyre që e kanë bërë këtë vrasje.

Thaçi theksoi se organet kompetente të Republikës së Kosovës janë të gatshëm që në përputhje me legjislacionin në fuqi të bashkëpunojnë dhe të pranojnë çfarëdo ndihme, e cila mund të çojë drejt zbardhjes së kësaj vrasjeje.

Gjithashtu, Thaçi tha se u fokusuan edhe në domosdoshmërinë e vazhdimit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndër-shtetërore, forcimin e paqes në rajon dhe perspektivën e integrimeve euro-atlantike.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: