TIRANE

Familja e Admir Murataj, i cili mbeti i vrarë në shkëmbimin me armë zjarri me forcat e rendit pas megagrabitjes së 9 prillit në aeroportin e Rinasit, ka depozituar sot një kallëzim penal në prokurori ndaj Policisë së Shtetit.

Padia është ngritur nga vajza e 47-vjecarit Murataj, përmes avokatit Arbër Hoxhaj. Ajo ka kallëzuar penalisht në Prokurori punonjësit e FNSH-së për vrasjen e babait të saj.Familja Murataj pretendon se i afërmi i tyre është vrarë qëllimisht nga policia, pasi punonjësit e FNSH nuk kanë vepruar në kushtet e vetëmbrojtjes.

“Policia ta arrestonte, mos ta vriste Admirin. Ka 6 të arrestuar për grabitjen por asnjë të arrestuar dhe ndaluar për vrasjen e Admirit” -është shprehur avokati i familjes Murataj në një prononcim për mediat.

Kërkesa i drejtohet Prokurorëve të cështjes Eneid Nakuci Arens Çela, Besnik Muçi.Në padinë e saj 23-vjecarja, si cilesinë e trashegimtarit të viktimës kërkon të hidhet dritë mbi dy pyetje që i parashtron në padinë dorëzuar prokurorisë së krimeve të rënda:

1- Cilët kanë qenë punonjësit e policisë me gjeneralitet përkase antarë të grupit të FNSH që kanë marrë pjesë në shkëmbimin e zjarrit të pretenduar në vjedhjen me armë  të ndodhur në Rinas në date 9 Prill 2019 ?

2- A janë respektuar dispozitat përkatëse të ligjit nr 72/2014 « për përdorimin e armëve të zjarrit » dhe akteve të tjera nënligjore nga antarët e grupit të FNSH të policisë së shtetit?

Në padinë e saj, vajza e të ndjerit Admir Murataj, kërkon nga Prokuroria e Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë zgjerimini e rrethit të personave nën hetim, duke marrë si të dyshuar, për kryerjen e veprave penale « Shpërdorim Detyre », « Vrasje me Dashje » ose « Vrasje e kryer në kapërcim të mbrotjes së nevojshme », edhe punonjësit e Policisë së Shtetit konkretisht : F.N.SH. si grup i ndërhyrjes dhe ndjekjes së veprimeve, të personave të dyshuar për grabitjen ku në të cilën ka mbetur i vrarë Admir Murataj.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb