E veshur me të zeza dhe e kërrusur nga dhimbja, Fatmira, nëna e Vilson Tafçiut, 28-vjeçarit të ekzekutuar më 20 janar të vitit 2020 shoqërues të vetëm ka lotët. Në pak javë humbi bashkëshortin, babain dhe në fund të birin. Vdekja e tij e parakohshme nga 3 plumba pistolete e plaku para kohe nënën.

Ajo nuk gjen ngushëllim për këtë ikje pasi mëkati i vetëm i të birit ishte një “follow” në Instagram ndaj një vajze me të cilën autori i krimit kishte një marrëdhënie.

Disa ditë pas krimit, autori, një ish-shok i të birit, Noel Dishi u vu në pranga dhe nëna e mbështeti dhimbjen e saj tek drejtësia e cila do ta lehtësonte sadopak. Por një pasdite në edicionet e lajmeve Fatmira dëgjoi të përmendej sërish vrasja e të birit të cilën e përjetoi si një vrasje të dytë kur dëgjoi se autori ishte dënuar nga gjykata me 10 vite e 6 muaj burgim.

Vilson Tafciu
Vilson Tafciu

Fatmira ka qenë sot në emisionin “Me zemër të hapur” në News24, ku ka rrëfyer më tepër detaje nga ngjarja, teksa drejtësia për të birin është shndërruar në motivin e jetës së saj.

“Djalin e kisha të fejuar prej 2 vjetësh. Kanë shkuar shumë mirë. Ishin lidhur me dashuri. Nusen e djalit e kam pasur nga i njëjti fshat që kam qenë unë. E mirëprita këtë marrëdhënie. Ai ka qenë gëzimi im i vetëm. Por gëzimi zgjati vetëm pak. Më vdiq djali në lule në rinisë.
2 muaj e gjysmë para djalit me kishte vdekur burri ndërsa në 19 janar varrosa babain. Më 20 në darkë më vdiq djali. Djali ishte në varrimin e gjyshit e më pas u nis në për në Tiranë. Fola në telefon më tha arrita do bëj dush e do dal. Pas disa orësh më njoftoi kunati. Nuk më tha të vërtetën, por më tha ka bërë aksident. Po bëhesha gati për Tiranë pastaj më ka marrë djali tjetër e më tha mami bëhu e fortë se na i vranë Sonin. U shokova nuk e prisja sepse ishte shumë i kulturuar. Ditën e tretë kam marrë vesh kush e vrau dhe nga ishte”, tregoi Fatmira.

Sa i përket motivit të konfliktit që çoi në krimin e rëndë ajo tregon: “Më vonë nga një emision në media u sqarova që bëhej fjalë vetëm për një follow”.

“Atë vajzën që u bë shkak për vrasjen, Blertën e kam mbajtur afër sepse jam prind vetë. Kam kërkuar nga ajo vetëm të ishte e sinqertë e të më tregonte. Një kohë e besova derisa dolën faktet nga gjykata. Në dëshmitë e tyre dilte ndryshe nga sa më tha Blerta. Ajo i ka çuar me foto e me zë çfarë ka thënë im bir dhe ia ka çuar Noelit, autorit të krimit.
Në biseda ka dalë dhe nga këto Noeli është nevrikosur dhe ka kërkuar armë. Nuk menduan se do e gjente armën aq shpejt.
Nga Durrësi ka mbërritur në Tiranë ka marrë Vilsonin në telefon ka shkuar te lokali në Astir dhe e ka vrarë. E gjithë ngjarja ka ndodhur për 21 sekonda.
Më herët ata janë njohur në mërgim. Djali im ka fjetur 2 net në Zvicër në shtëpinë e Noelit”, tha nëna e 28-vjeçarit.
Ajo u shpreh e tronditur nga dënimi i autorit Noel Dishi, teksa paralajmëroi se do ngrejë padi dhe ndaj vajzës që sipas saj u bë shkak i krimit.
“Do t’i bëj denoncim kësaj vajze. Jam treguar me kulturë dhe 1 vit asaj i kam folur mirë. Tani që e pashë që shkak, fillim mbarim ka qenë ajo për vrasjen unë do ngre padi për të. I ati më tha do më padisë se po e bezdis të bijën në telefon por unë dua vetëm të vërtetën”, deklaroi Fatmira.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb