Pas zgjedhjes së Megi Finos në krye të Këshillit Bashkiak të Tiranës ka reaguar edhe Endrit Braimllari, i cili nga mbledhja e sotme u zgjodh nënkryetar.
Me anë të një postimi në Facebook, Braimllari përgëzon kryekëshilltaren e zgjedhur, duke shprehur gatishmërinë për bashkëpunim mes palëve, në mënyrë që çdo vendimmarrje t’u shërbejë qytetarëve të Tiranës.
“Urime dhe suksese koleges Megi Fino për përzgjedhjen në krye të Këshillit Bashkiak të Tiranës! Të gjithë së bashku le të dëshmojmë se vetëm përmes punës dhe frymës së bashkëpunimit mund të arrijmë në mirëdrejtimin e Këshillit Bashkiak të Tiranës që i përgjigjet kërkesës për vendimmarrje në shërbim të qytetarëve.”
Ndër të tjera, Endrit Braimllari u bën thirrje këshilltarëve të tjerë të Bashkisë së Tiranës, të lënë mënjanë ndasitë dhe gjuhën e llogores politike, që çdo zgjedhje e këtij organi vendimmarrës të jetë zgjidhje për qytetarët.
“Qytetarët kanë nevojë për një frymë europiane, për bashkëveprim dhe shërbim ndaj tyre. Gjuha e llogores politike dhe ndasitë duhet të lihen mënjanë, kur bëhet fjalë për zgjedhje dhe zgjidhje në sherbim të qytetit dhe qytetareve. Përpara se te jemi politikanë, jemi qytetarë të këtij vendi, jemi prindër të atyre fëmijëve, të cilët kanë nevojë të ecin me ritmet europiane, për një zhvillim pandalshëm për Shqipërinë 2030.”
Braimllari përgëzoi për punën e deritanishme në krye të Këshillit Bashkiak, Romina Kukon, e cila në legjislaturën e ardhshme parlamentare do të jetë deputete për Qarkun e Korçës.
“Shpreh përgëzime dhe mirënjohje për drejtuesen e deritanishme të Këshillit Bashkiak të Tiranës, znj. Romina Kuko, e cila përmes një gjuhe pozitive mundësoi lehtësinë e bashkëpunimit mes këshilltarëve, nxiti angazhimin si përfaqësues të qytetarëve, me qëllim rritjen e Këshillit si institucion vendimmarrës. Pikërisht kjo gjuhë bashkëpunimi nevojitet për forcimin e ekipit, për t’i dhënë forcë së tërës, për të çuar përpara punët e frytshme për Tiranën dhe Shqipërinë Europiane.”
Endrit Braimllari në zgjedhjet e 11 Majit kandidoi në radhët e Partisë Socialiste, për Qarkun e Tiranës.
(BalkanWeb)