Rrjeti Shqiptar për Edukimin Financiar (ANFE), një organizëm i krijuar në vitin 2018, i cili mbështetet nga 9 institucione financiare dhe organizata përfaqësuese të operatorëve të tregut: Shoqata Shqiptare e Bankave, Shoqata e Siguruesve të Shqipërisë, Shoqata e Mikrofinancës  Shqiptare, Shoqata e Siguruesve të Jetës, Pensioneve dhe Fondeve të Investimeve, Shoqata e Tregtimit të Titujve, Bursa Shqiptare e Titujve, Junior Achievement of Albania, Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim si dhe Shërbimi Kombëtar Rinor, në kushtet e pazakonta të pandemisë Covid-19, realizoi on-line takimin e 9-të të saj, nën kujdesin e dy prej anëtarëve të saj, Shoqatës së Siguruesve të Shqipërisë dhe Shoqatës të Jetës, Pensioneve dhe Fondeve të Investimeve.

Në këtë takim mori pjesë edhe zj. Mimoza Kaçi, Nëndrejtor Ekzekutiv i Autoritetit te Mbikëqyrjes Financiare. Në fjalën e saj përshëndetëse zj. Kaçi vlerësoi rolin e rëndësishëm që ka edukimi financiar për konsumatorët dhe investitorët në tregjet financiare. Zj. Kaçi theksoi se Autoriteti është  angazhuar në këtë drejtim me një sërë nismash në zbatim të strategjisë “Për rritjen e besimit të konsumatorit dhe investitorit në tregjet nën mbikëqyrje”. Sfidë mbetet bashkëpunimi i të gjithë aktorëve të tregut dhe disa institucioneve në këtë proces, si Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, Banka e Shqipërisë, Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, në funksion të krijimit të një platforme kombëtare për edukimin financiar.

Pjesëmarrësit në këtë takim u ndalën dhe diskutuan mbi disa tema me interes për tregun financiar, si :

  • Sigurimi i Shëndetit në kushtet e pandemisë Covid-19;
  • Zhvillimet aktuale në tregun e pensioneve private, sigurimin e jetës dhe fondet e investimeve;
  • Të rejat më të fundit në Bursën Shqiptare të Titujve dhe Tregjet e Kapitaleve;
  • Fushata edukuese mbi “Huamarrjen e Zgjuar” në Tregun e Mikrofinancës;
  • Dua Partner Invest – Një platformë e re e Partnerëve Shqipëri që i shërben komunitetit të startup-eve duke sjellë bashkë investitorë, konsulente dhe startup-e.

Me interes të veçantë u ndoq nga të pranishmit prezantimi i të ftuarës speciale, Znj. Anja Deinzer, përfaqësuese e Savings Banks Foundation for International Cooperation.

Znj.Deinzer prezantoi Sparkassenstiftung für internationale Kooperation (Sparkassenstiftung) dhe projektin e kësaj të fundit në Shqipëri për një analizë të thelluar lidhur me edukimin financiar dhe përfshirjen financiare si në zonat urbane ashtu edhe në  ato rurale.

Sparkassenstiftung ështe një agjenci zbatuese e Ministrisë së Bashkëpunimit Ekonomik dhe Zhvillimit të Gjermanisë. Në këtë kontekst ajo mbështet partnerë publikë, jo-publikë dhe sektorin privat që së bashku të realizojnë masa zhvillimore me qëllim rritjen e shërbimeve financiare gjithëpërfshirëse në mbështetje të sipërmarrjeve të vogla, të mesme dhe të fermerëve.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb