Shtetet e Bashkuara kanë akuzuar Rusinë se dëshiron të “ngrijë” Ukrainën në nënshtrim, pasi nuk ka arritur të fitojë në fushën e betejës. Rusia ka sulmuar në mënyrë të përsëritur infrastrukturën energjetike të Ukrainës me raketa dhe dronë shpërthyes, ndërsa forcat e Kievit kanë avancuar kundër trupave të Moskës në lindje dhe jug të vendit.

Agjencia France-Presse raportoi se presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, tha të enjten se fushata e Rusisë kundër rrjetit energjetik të Ukrainës kishte lënë rreth 4.5 milionë njerëz pa energji elektrike.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha të premten pas takimit të ministrave të jashtëm të G7 në Gjermani se: “Presidenti Putin duket se ka vendosur që nëse nuk mund ta pushtojë Ukrainën me forcë, do të përpiqet ta ngrijë atë në nënshtrim.”

Diplomatët më të lartë nga vendet më të pasura të botës ranë dakord për një strukturë për të dërguar ndihmën në Ukrainë për të zëvendësuar infrastrukturën e shënjestruar nga Rusia. SHBA po shqyrton gjithashtu opsionet për të adresuar dëmin.

Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i Presidentit Joe Biden, Jake Sullivan, u takua me Zelensky në Kiev të premten për të riafirmuar mbështetjen e SHBA për Ukrainën. Sullivan tha në një konferencë për shtyp në Kiev se Ukraina kishte një “nevojë akute për mbrojtje ajrore në këtë moment kritik”. Pentagoni njoftoi se do të financojë rinovimin e tankeve T-72 dhe raketave tokë-ajër Hawk, si pjesë e një pakete 400 milionë dollarësh të ndihmës për Ukrainën, duke e çuar ndihmën e saj totale për sigurinë në më shumë se 18.2 miliardë dollarë që nga pushtimi i shkurtit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: