POGRADEC – INUK-U ka zbarkuar në komunën Udenisht të Pogradecit prej disa ditësh, ku po vijon prishjen e objekteve përgjatë vijës liqenore, por sot, 20 banorë të kësaj komune janë ngujuar brenda një ndërtese që ishte parashikuar të shembej me 6 janar dhe e kanë ndërprerë aksionin.

Gazetari Elton Dono raportoi nga Udenishti se disa prej pronarëve të shpronësuar, sot nuk e kanë kundërshtuar aksionin e INUK-ut, pavarësisht se më parë protestuan kundër shembjes, por 20 të tjerë, të lidhur me një ndërtesë ku pronar është Azem Brahja, kanë deklaruar se nuk do të dalin nga godina përveçse të vdekur. Ata pretendojnë se kompensimi është shumë i ulët, pasi iu janë afruar 100 mijë euro për godinën, ndërkohë që pretendojnë se ajo vlen 600 mijë euro.

INUK: DO TE SHEMBIM 3-4 GODINA

Inspektoriati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar ka njoftuar sot se” ka nisur operacionin për prishjen e një sërë ndërtimesh në zonën turistike të komunës Udënisht përgjatë vijës liqenore Lin-Pogradec. Me një shpërthim të kontrolluar, në ditët e fundit të vitit të kaluar, është prishur një ndërtesë 7 katëshe në këtë zonë në breg të liqenit. Në vijim, pas ditëve të pushimit, INUK është përqëndruar në këtë rajon për kthimin në interest të qytetarëve të një hapësire të madhe publike të zënë nga objekte të ndryshme.

Ky operacion do të zgjasë rreth dhjetë ditë dhe në të do të përfshihen mjete të ndryshme të INUK-ut si dhe forca njerëzore të këtij inspektoriati. INUK ka nisur hapjen e vrimave për vendosjen e lëndës plasëse në një objekt gjashtë katësh, ndërkohë që do të jenë tre ose katër godina të tilla që do të shëmben me shpërthim të kontrolluar.

Sipas planit të punës së INUK-ut, në zonë janë rreth 20 objekte që do të prishen, një dhe disa katëshe, sipas një rendi të përcaktuar më parë nga ekspertët. Vetëm ditën e sotme janë shembur katër objekte të përmasave të ndryshme,”- thuhet në njoftimin e Inspektoriatit.

TE MARTEN PRITET SHEMBJA E NJERES PREJ NDERTESAVE SHUMEKATESHE

Të martën është parashikuar shembja me eksploziv e një ndërtese shumëkatëshe buzë liqenit. Forcat xheniere po punojnë për të vendosur tritolin në godinën që pritet të rrafshohet mesditën e së martës.
Ndërkohë, INUK po punon gjatë ditës së sotme për shembjen e disa godinave 1 dhe 2 katëshe buzë liqenit, në komunën Udenisht.

(ar.sh/er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb