TIRANË – Qeveria deklaron se ka akorduar 7 milionë USD për rehabilitimin e vijës liqenore Lin-Pogradec dhe 21 subjektet e shpronësuara në Udënisht do të përfitojnë 4.5 milionë USD, duke hedhur kështu poshtë pretendimet e Partisë Demokratike për 53 familje e biznese të Hudënishtit, të cilëve po u shemben pronat.

Në deklaratën e Ministrisë së Turizmit të drejtuar nga Eglantina Gjermeni, që tenton të rrëzojë atë të deputetit demokrat Edmond Spaho, thuhet se “në muajin janar merr jetë projekti i rehabilitimit të aksit përgjatë liqenit të Ohrit, nga Lini në Pogradec.

Qeveria ka financuar fazën e parë të projektit, paralel me atë të përfundimit të rrugës nacionale Lin- Pogradec, në masën 190 milionë lekë ose gati 2 milionë dollarë. Projekti do të zbatohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit.

Nëpërmjet Fondit të Zhvillimit të Rajoneve, Qeveria ka filluar zbatimin e projektit të parë në Komunën Udenisht me reabilitimin e qendrës së komunës, sheshit në hyrje të saj si dhe një sheshi shumëfunksional në qendër të fshatit, të cilat janë pjesë të fazës së parë të projektit për reabilitimin e qendrave të banuara përgjatë liqenit të Ohrit, në këtë komunë. Nga projekti preken 21 objekte dhe jo 53; objektet janë mbi 90% objekte shërbimi. Dy që banohen dhe në të njëjtën kohë janë dhe objekte shërbimi, në hipotekë figurojnë pas privatizimit, si objekte shërbimi.

Mbi bazë të projektit si dhe mbështetur në gjurmën që shtrihet projekti, me urdhër të Ministrit është ngritur grupi i punës, që ka bërë vlerësimet e objekteve në terren. Është ngitur Komisioni i shpronësimit me urdhër të Ministres dhe bazuar në ligj, kryesohet nga Zëvendësministri i MZHUT.

Është lidhur Akt – Marrëveshja me njësinë vendore ku do të zbatohet projekti bazuar në ligjin për shpronësimet si dhe është shpallur lista e të shpronësuarve pranë njësisë- subjekti kërkues dhe zbatues i projektit në bazë të ligjit për shpronësimet dhe VKM -së përkatëse.

Pra, në total janë 21 objekte, deri në momentin e shpalljes së listës, pa administruar kontestimet dhe jo 53 objekte, të cilat janë vlerësuar në masën 4. 5 milionë dollarë. Totali i investimit nga buxheti i shtetit përfshirë dhe fondin për projektin e reabilitimit, shkon afërsisht në vlerën 7 milionë dollarë.

Komisioni i Shpronësimit, ngritur pranë Ministrisë së Zvillimit Urban dhe Turizmit për të vlerësuar praktikat nëse janë të bazuara në ligj dhe akte nënligjore, fton zotin Spaho të njohë dokumentacionin e cituar më sipër dhe më pas, të bëjë politikë mbi dëshpërimin dhe manipulimin me prishje imagjinare.

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb