Udhëheqësi i dyshuar i grupit që sulmoi disa caqe më 21 prill në Shri Lankë u vra në sulme, tha presidenti i këtij vendi, Maithripala Sirisena. Sirisena tha se Zahran Hashim, predikues radikal, vdiq në sulmin në hotelin Shangri-La në kryeqytetin Kolombo. Së paku 250 njerëz u vranë nga sulmet në disa kisha dhe hotele të Shri Lankës.

Presidenti tha se Hashim ka udhëhequr sulmin në një hotel të njohur për turistët, së bashku me një bombardues tjetër, të identifikuar vetëm si Ilham. Sirisena tha se shërbimet e inteligjencës në Shri Lankë besojnë se rreth 130 njerëz të dyshuar për lidhje me grupin militant Shteti Islamik ndodhen në vend dhe se policia është në kërkim të 70 prej tyre, që janë në arrati, raporton Rel.

Autoritetet në Shri Lankë fajësuan grupin islamist lokal National Tawheed Jamath për sulmet. Ato janë kryer nga së paku nëntë sulmues vetëvrasës – në mesin e tyre një grua. Është thënë se shumica e sulmuesve ishin të shkolluar dhe vinin nga familje të shkallës së mesme.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb