Nga Brikena Metaj
Lefter Goga nga fshati Vrisera në Dropull, është 70-vjeçari që udhëhoqi forcat e shpëtimit në një rrugëtim që kërkoi rreth 5-6 orë ecje me këmbë për të shpëtuar alpinistët e humbur në pyllin e njohur si “Gështenjat e Djegura”.

Ai u bë udhërrëfyesi i forcave Delta dhe zjarrfikësve që e kishin të pamundur orientimin edhe pas identifikimit me helikopter të vendit ku ndodheshin të rinjtë alpinistë.
Katër të rinjtë ishin nisur prej fshatit Selo për të mbërritur në Sotirë nëpër një terren të thepisur malor me thyerje të forta dhe dëborë të dielën në mëngjes. Me rënien e errësirës grupi humbi orientimin.

Ata kishin ndezur zjarr për të përballuar natën dhe të ftohtin, por u detyruan të kërkojnë ndihmë për shkak se po dehidratoheshin pas mungesës së ujit prej 12 orësh. Prefekti i qarkut që drejtoi gjithë operacionin tha se pa ndihmën e 70-vjeçarit gjithçka do ishte më e vështirë.
Grupi i djemve miq me njëri-tjetrin realizojnë shpesh ngjitje alpinistike dhe ecje në mal së bashku.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb