Dritan Goxhaj rrjedh nga një familje atdhetare, si nga familja e babit të tij, Dilaver Goxhaj, ashtu edhe nga e ëma e tij, Mirvete Skëndaj-Goxhaj.

Prindërit e Dilaverit, janë nga fshati Golem i Kurveleshit, ndërsa vetë Dilaveri ka lindur dhe është rritur në Lunxhëri. Dilaveri është djali i katërt i veteranit të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare Shqiptare (LANÇ), Rezo Goxhaj, partizan në radhët e Grupit të Parë të Kurveleshit, prej janarit të vitit 1944.

Babai i Dritanit, Dilaver Goxhaj është titulluar oficer për armën e Artilerisë Kundërajrore në vitin 1969, pasi kreu një kurs 6-mujor për raketat Kundërajrore Tokë-Ajër (SAM 2) me specialistët kinezë, teknik për autopilotin, ka kryer detyra të ndryshme komanduese. Në vitin 1984 mbaroi Akademinë e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë dhe u mbajt pedagog taktike për Mbrojtjen Kundërajrore. Pasi dha provimet pasuniversitare u emërua Shef i Katedrës së Mbrojtjes Kundërajrore dhe e Aviacionit, në atë akademi.

Dilaveri u lirua nga ushtria në vitin 1993, si rrjedhojë e reformave që ndërmori Partia Demokratike dhe emërohet mësues i gjuhës angleze nga Drejtoria Arsimore e Qytetit të Tiranës deri kur shkoi vullnetar në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, në ditët e para të marsit 1999.

Atje iu ngarkua detyra zëvendës Shef i Shtabit të Përgjithshëm i asaj ushtrie, i kolonel Bislim Zyrapi, si dhe oficeri për mbajtjen e bashkëveprimit me aviacionin e NATO-s.

Pas mbarimit të Luftës Dilaveri emërohet Shef i Kabinetit të Ministrit të Mbrojtjes në Qeverinë e Përkohshme të Kosovës dhe me shkrirjen e asaj qeverie, në 31 janar 2000 punoi si gazetar i lirë deri në gusht 2000 kur kthehet në Tiranë.

Në tetorin e vitit 2001 Dilaveri rikthehet në Prishtinë, ngaqë në Tiranë nuk mundi të punësohej, dhe punoi mësues i gjuhës angleze në Kolegjin privat “Kembrixh School” deri në korrik 2002, kur kaloi shef administrate në kompaninë projekt inxhinieri “Mabetex”.

Në janar 2005, Dilaveri kthehet në Tiranë dhe punon banakier deri në prill 2009, ku emërohet pedagog taktike, civil, në Shkollën Ushtarake për oficerë të trupës-Tiranë, dhe në janar 2013 del në pension pleqërie.
Teksa djali i tij, Dritan Goxhaj ka lindur në 8 qershor 1976, në Fier. Jeta e tij ushtarake i ka fillesat që me Akademinë Ushtarake “Hava Teknik Okullar” në Izmir – Turqi, ku mori titullin teknik për avion luftarak.

Në vitin 1998 titullohet oficer i aviacionit luftarak (pilot) në Akademinë e Aviacionit Vlorë;
Në 23 Mars 1999 Dritani kthehet nga shkolla “Hekenic Air Force Akademy” – Greqi, pasi kreu praktikën fluturuese me një grup prej pilotë të rinj shqiptarë, për pilotim të avionit luftarak;

Më 29 mars 1999 kthehet në Shqipëri dhe emërohet nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, oficeri koordinimit midis Shtabit të Përgjithshëm të UÇK dhe komandën amerikane në Shqipëri, njëkohësisht edhe pjesëmarrës në Operacionin “Shigjeta” të UÇK-së.

Në shkurt të vitit 2000 Dritani angazhohet në Ushtrinë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë e Bujanovc (UÇPMB) për çlirimin e Kosovës Lindore dhe bashkimin e saj me Kosovën.
Dritanin, komanda e UÇPMB-së e ngarkoi me detyrën e komandantit te batalionit në mbrojtje të Bujanovcit, në rajonin e quajtur Molla e Kuqe, në veri të qytetit Bujanovc.

Dhe ishte fat për UÇK-në që gjatë angazhimit të NATO-s me aviacion, në mbështetje të UÇK-së, oficeri ndërlidhës me përfaqësuesit ushtarakë amerikanë për luftën në Kosovë, me qendër në Shqipërinë e Veriut, ishte Dritani. Kjo sepse si kërkesa apo edhe porosia, ose vërejtja që Shtabi i Përgjithshëm i transmetonte koordinatorit të saj, Dritanit, ishte e sigurt që mbërrinin në kohë dhe pa deformimin më të vogël atje ku duhej.

Dritani largohet nga UÇPMB në fund të janarit 2000, pasi ndodhi çarmatosja dhe shpërbërja “vullnetare” e UÇPMB-së.

Më pas Dritani ka punuar disa vite si specialist i sigurisë ajrore pranë Autoritetit të Aviacionit Civil në Tiranë si dhe në një kompani private fluturimi, njëkohësisht edhe bashkëpunëtor gazetar investigues për Kosovë-Maqedoni e Veriut-Shqipëri e Mali i Zi për www.telegrami.mk Tetovë (Grupi Radio Fokus Tetovë).

Dritani pushohet nga puna pranë Autoritetit të Aviacionit Civil në shtatorin e vitit 2017, për fjalën e lirë, pse botoi shkrimin: “Aviacioni civil, si bahçe private”. Pushimi iu bë me motivacionin “Ke thyer etikën zyrtare”. Dhe prej atëherë, edhe pse u ankuan disa herë në gjykatë, Dritanit nuk iu dha e drejta për rikthim në punë.

Dritani është martuar dhe kane një djalë 6 vjeç, Jelisin, i cili pret me ankth që ta çoi babai në klasë të parë.
Një prej aktiviteteve intelektuale të Dritan Goxhaj është edhe hartimi dhe botimi i shkrimeve analitike për çështjet e aviacionit civil e ushtarak, të cilët arrijnë mbi 100 të tillë, si dhe disa qindra artikuj të tjerë analitikë për luftërat lokale në botë, si dhe analiza për çështje të ndryshme politike.

Gjatë periudhës së luftës Ukrainë-Rusi ka botuar rreth 15 artikuj analitikë ushtarakë për ecurinë e asaj lufte, e cila është në qendër të vëmendjes botërore.

Dritan Goxhaj është arrestuar më 31 korrik 2023 në Tiranës me vendim të Gjykatës Speciale të Kosovës, me qendër në Hagë.

Arrestimi i tij bëhet për lirinë e fjalës, pse ka investiguar dhe botuar emrat e 6 dëshmitarëve të fshehtë kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe piramidës komanduese të saj.
Për arrestimin e Dritan Goxhaj janë zhvilluar 5 protesta qytetare, dy prej tyre para ambasadave të Shqipërisë në Shkup dhe në Prishtinë, një para ministrisë së Drejtësisë në Shqipëri, një në qytetin e Gjirokastrës dhe një në qendër të Tiranës.

Njëkohësisht në mbështetje për lirimin e Dritan Goxhaj, për këtë arrestim të padrejtë, janë dhënë edhe disa intervista nga jurist dhe intelektualë të ndryshëm.

Gjatë kësaj periudhe kanë reaguar në rrjetet sociale me shkrim, me emër e mbiemër, mbi 20 mijë qytetarë bashkëkombas nga gjithë trevat shqiptare dhe e gjithë mërgata shqiptare, të cilat i janë dorëzuar edhe Gjykatës së Apelit dhe asaj të Shkallës së parë në formën e një libri voluminoz me 200 faqe.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb