Një emigrant irakian arriti të fshihet në pjesën e poshtme të një autobusi duke u kacavjerrë në aksin e rrotave të pasme të mjetit dhe duke përshkuar rrugën mes Beogradit dhe Zagrebit, para se të zbulohej në afërsi të kryeqytetit kroat.

“Irakiani 21-vjeçar nuk ka marrë plagë gjatë udhëtimit, por gjithsesi është vizituar nga stafi mjekësor”, njoftoi sot policia kroate në një deklaratë duke shtuar se po punonte për të verifikuar se në çfarë rrethanash migranti ka hyrë nga Serbia në Kroaci.

E përditshmja “Jutarnji list” duke cituar zyrtarë të kompanisë së transportit “Cazmatrans” që ka në pronësi autobusin raportoi se migranti kishte arritur të futej poshtë automjetit duke rrezikuar jetën gjatë udhëtimit prej më shumë se 400 kilometrash që ka zgjatur pesë orë.

“Kemi dëgjuar një zhurmë të fortë që vinte nga poshtë autobusit, ku kemi vënë në dijeni drejtuesin e mjetit i cili më pas ka ndalur autobusin në lartësinë e Ivanic Grad, rreth 40 kilometra në juglindje të Zagrebit”, tha për median një nga pasagjerët.

“Sapo është ndalur automjeti, i riu i tronditur ka dalë nga streha e tij duke u rrëzuar me fytyrë mbuluar nga balta dhe me duar të gjakosura”, tregon pasagjeri.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb