Edhe pa para, Mauro Bergoglio do të mund të udhëtojë në Romë për të marrë pjesë në funeralin e xhaxhait të tij, Jorge Mario, Papa Françesku, i cili ndërroi jetë të hënën në moshën 88-vjeçare. Udhëtimi do të paguhet nga një biznesmene e cila zotëron një agjenci udhëtimesh, pasi vetë Mauro kishte deklaruar në një intervistë se nuk mund të përballonte shpenzimet e udhëtimit.
Në një intervistë të dhënë pas vdekjes së Papës, Mauro ka rrëfyer se donte të ishte në Vatikan të shtunën e datës 26 prill, por se nuk ia doli dot të siguronte paratë.
“Po bëj atë që mundem, por gjërat po ndërlikohen”, tha Bergoglio gjatë një interviste për “Cn5”.
Pasi dëgjoi deklaratat, Rita Mattiello, pronare e një agjencie turistike, u vetëofrua t’i paguante udhëtimin.
“Ishte kënaqësi të ndihmoja”, shkroi ajo në një postim në rrjetet sociale.
Mauro Bergoglio, i diplomuar për infermieri dhe fizioterapi, është djali i Oscarit, një nga 5 vëllezërit e Papa Françeskut. Babai i Mauros ndërrkoi jetë në vitin 1997 në moshën 59-vjeçare.
Rrëfimi prekës i Mauro Bergoglios ka ndezur polemika në Argjentinë për mungesën e ndjeshmërisë së institucioneve ndaj dhimbjes së familjarëve të Papa Françeskut.
(BalkanWeb)