TIRANË

Kryeministri Edi Rama nuk ka asnjë dyshim se udhëtimi europian është e vetmja rrugë për shqiptarët.

Në konferencën e sotme për mediat, i pyetur nëse do ishte e udhës që gjithë ajo energji që po shpenzohet drejt Europës të kanalizohej për kombin shqiptar, ndoshta duke aluduar bashkimin, Rama tha se do ishte e gabuar të vihej në pikëpyetje Europa dhe se ankorimi i shqiptarëve në këtë organizëm politik është destinacion strategjik dhe historik.

“Do të ishte gabimi më i madh që në këtë moment kur prisnim të merrnim një ‘Po’ për të çelur negociatat ta përjetojmë si një moment kur të vëmë në pikëpyetje Europën dhe të ardhmen tonë europiane dhe t’u referohemi adresave të gabuara të së shkuarës. Udhëtimi ynë europian është një testament. Europa i vetmi destinacion. Forma që ajo do të marrë si organizim është dytësore në raport me përkatësinë ndaj kësaj familjeje dhe kjo nuk ka të bëjë me Merkel, Macron, emrat e përveçëm por kjo ka të bëjë me Shqipërinë dhe shqiptarët. Ankorimi i shqiptarëve në këtë organizëm politik është destinacion strategjik dhe historik. Nuk është një nga planet por i vetmi plan. Është e vetmja hapësirë ku shqiptarët mund të jetojnë jo vetëm të lirë por edhe të sigurt”, deklaroi Rama.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb