TIRANË

Në kërkesën e dorëzuar sot në GJKKO për arrestimin e ish deputetit Alqi Bllako, SPAK ka dorëzuar sot të tjera prova që implikojnë atë me persona të lidhur me inceneratorët.

Gazetarja Klodiana Lala, tha për ‘BalkanWeb’ se SPAK ka dërguar në gjykatë të dhëna të reja për Bllakon ku rezulton se ai ka udhëtuar drejt Italisë me Klodian Zoton.

Referuar sistemit TIMS, gazetarja Klodiana Lala tha se rezulton që në 16.4.2019 Alqi Bllako ka udhëtuar me avion drejt Torinos së bashku me Klodian Zoton për t’u kthyer nje ditë më pas, po së bashku, nga Roma në Rinas.

GJKKO konfirmoi zyrtarisht se SPAK i ka dorëzuar kërkesën për caktim mase sigurie arrest me burg për ish-deputetin e PS Alqi Bllako.

Ndërkohë pritet shqyrtimi i kërkesës nga gjyqtarja Irena Gjoka. Kërkesa në gjykatë ka ardhur menjëherë pasi Kuvendi njoftoi që Alqi Bllako kishte lënë mandatin e deputetit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb