Skënderbeu ka qenë klubi shembull në Shqipëri për financat e sigurta dhe të ardhurat prej shitjeve të lojtarëve, por gjithashtu edhe bonuseve të përfituara prej miliona eurosh nga prezantimi dinjitoz në Kupat e Europës, ku dy herë ka qenë pjesë e fazës së grupeve. Mirëpo, tani problemi qëndron ndryshe.

Vendimi i KAS po vonon dhe në Korçë ka më shumë dilema sesa siguri për të ardhmen. Këtë e tregoi edhe bojkoti i stërvitjes nga lojtarët. Megjithatë, nga burime të sigurta të “Panorama Sport” pranë klubit korçar bëhet me dije se një situatë e tillë është rezultat i një mungese fondesh për shkak të bllokimit të premiove të dhënë nga UEFA. A.

Kjo vjen si pasojë e mospagesës së gjobës prej 1 milion eurosh, që është ende një vendim që do të mbetet për t’u përcaktuar nga KAS, si dhe shpenzimet në gjyqe të ndryshme që klubi ka ndërmarrë këto kohë për të apeluar dhe riapeluar vendimet e njëpasnjëshme. Në të tilla kushte, klubi është duke pritur që nga momenti në moment të kalojë një shumë e majme në llogari, në mënyrë që të stablizojë situatën. Të njëjtat burime i thanë dje gazetës se Skënderbeu pret të përfitojë nga rishitja e Olainkës te Slavia e Pragës mbi 1 milion euro.

Kjo do të zgjidhë totalisht problemin e pagave të lojtarëve, jo vetëm për tre muajt e fundit, por edhe vazhdimësinë e sezonit. Gjithsesi, deri në pritje të këtij dëmshpërblimi, nga ana e ekipit që ka blerë kartonin e Olainkës, duket se një situatë e tillë do të vijojë edhe për disa kohë në radhët e korçarëve.

Për këtë, Takaj ka kërkuar kohë nga lojtarët dhe mirëkuptim, pasi askush nuk do të ketë probleme me pagesat. Gjithçka mbetet për t’u parë, në një kohë që skuadra duket sikur nuk e ka ndierë fare në fushë faktin që s’është paguar për këtë sezon. Rezultatet kanë qenë pozitive, madje ekipi po ecën me hap kampioni dhe kjo ka kënaqur pa masë drejtuesit e klubit, të cilët nuk e kanë pritur këtë ecuri të mirë, edhe pse nuk e kanë pranuar publikisht.

Burimi: http://www.panorama.com.al/sport/ekskluzive-uefa-ka-bllokuar-parateskenderbeu-me-syte-nga-olainka-e-plote/

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb