Impakti i pandemisë së Covid-19 në futbollin europian ka qenë i rëndë dhe efektet e krizës pritet të zgjasin. Ndaj për këtë arsye UEFA po studion një mënyrë për të bërë disa modifikime në Fair Play-n Financiar me objektivin për t’u dhënë klubeve më shumë mundësi për të manovruar.

Mes ndryshimeve kryesore, raporton “RMC Sports”, pritet të jetë zmadhimi i fashës kohore që merret në konsideratë për analizën e llogarive të skuadrave dhe që pritet të mos jetë më 12 muaj, por 24. Bilanci në pasiv i autorizuar do të rritet nga 30 milionë në 60 milionë euro.

Ideja është që të pezullohen auditet e vjeshtës së këtij viti dhe t’i zhvendosin ato direkt për vjeshtën e vitit 2021, duke marrë në analizë bilancet e sezoneve 2019/2020 dhe 2020/2021. Kjo pritet të ratifikohet në një kohë të shpejtë. Nuk është një revolucion i mirëfilltë, por klubet do të kenë mundësinë që të përballojnë një emergjencë të paparashikuar.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb