Nga: JETON SELIMI

Raporti i UEFA-s ka përmendur në paragrafë të caktuar emrin e ish-ministrit të Financave, Ridvan Bodes, si të përfshirë direkt në trukimin e ndeshjeve të Skënderbeut. Madje, sipas UEFA-s, ka qenë pikërisht Bode, ai që ka krijuar edhe lidhjet e para të klubit korçar me botën e basteve të paligjshme. Më tej, në raport përmendet dhe presidenti Takaj, që i lidhur me kompanitë e basteve dhe me ish-presidentin Agim Zeqo, ka mundur të krijojë kontakte me të gjitha nivelet e fiksimit të botës së basteve të paligjshme.

Ridvan Bode
“Lidhjet me subjektet e fiksimit të ndeshjeve janë vendosur nëpërmjet ‘bekgraund’-it politik të zotit Ridvan Bode. Në këtë kontekst, integriteti i zotit Ridvan Bode është vënë në dyshim. Konkretisht, zoti Bode mendohet të ketë ndikuar në rezultatin e ndeshjeve që Skënderbeu ka luajtur kundër Dinamos së Tiranës. Trajneri i skuadrës tjetër, Luis Manuel Blanko, e ka pranuar publikisht këtë. Komisioni i Apelit ka vënë re se BFDS (Sistemi i Zbulimit të Mashtrimeve në Baste në UEFA) ka përshkallëzuar tri ndeshje mes Dinamos dhe Skënderbeut, në mënyrë domethënëse është raportuar për ndeshjen e tretë, “kjo ndeshje ishte manipuluar me qëllimin për të luajtur baste të sakta, e orkestruar në mënyrë të atillë që të gjeneronin fitime të mëdha”. Ky raport është për t’u bashkëngjitur me “Grupin Parë” të mësipërm, aty ku janë ndeshjet me probabilitet të lartë manipulimi. Gjithashtu, lidhja mes zotit Bode dhe donatorit kryesor të Shkumbinit (Dash Sula) është krijuar si e bazuar në të kaluarën e tyre të përbashkët në Parlamentin Shqiptar, si pjesë e së njëjtës parti. Dy ndeshje të luajtura mes këtyre dy klubeve janë gjithashtu të shënjuara nga BFDS”, shkruan UEFA në raportin e saj për deputetin e Partisë Demokratike dhe ish-ministrin e Financave.

Ardjan Takaj
Raporti për presidentin e Skënderbeut është më voluminoz. “Gazeta Shqiptare” po përmbledh esencën e asaj që ka raportuar UEFA në paragrafin e mëposhtëm. “Dëshmitë e dhëna nga inspektorët në lidhje me zotin Ardjan Takaj janë të mëdha dhe e vënë presidentin aktual të Skënderbeut në qendër të komplotit. Në thelb dhe bazuar tek inspektorët, familja Takaj ka lidhje me të gjitha nivelet e fiksimit të ndeshjeve, duke përfshirë bastet, agjentët e qeverisë dhe shoqërinë, të cilat do të tregojnë aftësinë e tyre për të kontrolluar dhe për të ndikuar në të gjithë aktivitetin e klubit. Ardjan Takaj, president i Skënderbeut, ka qenë një biznesmen i suksesshëm për 25 vitet e fundit. Ai ka qenë i përfshirë në disa aktivitete ekonomike, të tilla si ndërtimi, turizmi, media, etj.. Z. Takaj ka në pronësi një kompani bastesh ‘Eurobest’, por kjo daton më shumë se 15 vite të shkuara. Trupi Apelit gjykon se lidhjet janë vërtetuar në mes të ish-presidentit, Agim Zeqo dhe Ardjan Takajt. Kjo lidhje mes ish-presidentit dhe presidentit aktual të klubit është e rëndësishme, sepse ajo krijon një lidhje të së shkuarës dhe të tashmes në trukimin e ndeshjeve. Trupi i Apelit thekson se lidhja midis zotit Ardjan Takaj dhe Agim Zeqos është e njohur për shkak të faktit se ata kanë lidhje biznesi. Të dy janë partnerë aksionesh të kompanisë ‘Media 99’. Gjithashtu, dyshohet edhe lidhja mes Takajt dhe ish-trajnerit të Skënderbeut, Mirel Josës. Ata kanë qenë shokë fëmijërie, ndërsa Josa ka qenë trajner i Vllaznisë në një ndeshje me Kastriotin, ndeshje që mendohet si e manipuluar për baste të jashtëligjshme. Tjetër lidhje që shikohet si e dyshimtë është ajo mes Takajt dhe katër lojtarëve, Orges Shehit, Blendi Shkëmbit, Tefik Osmanit dhe Renato Arapit. Këta lojtarë janë parë të kryejnë performancë të dobët në disa ndeshje, referuar pamjeve, çka bën që BFDS të dyshojë se këto takime janë manipuluar, ose kanë një probabilitet shumë të lartë që të jenë manipuluar. Ajo çka e vë në dyshim zotin Takaj është lidhja e tij me mjaft kompani bastesh, sidomos ‘SBOBet’, një kompani aziatike bastesh, e lidhur me 30 nga ndeshjet e dyshuara si të trukuara”.
(ma.ar/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb