Federata Evropiane e Futbollit, do të vendosë sot nëse Kosova do të jetë anëtarja e 55 e kësaj organizate. Kjo është edhe pika kryesore e rendit të ditës së Kongresit të UEFA-s, që i zhvillon punimet në Budapest.

Kosovës i duhen të paktën 28 votat e 54 vendeve anëtare të UEFA-s ku votimi është i hapur dhe bëhet me ngritje dore ose të kartonit të votimit.

Synimi i Kosovës, për t’u bërë anëtare e plotë e UEFA-s, shënoi një hap përpara në shtator të vitit të kaluar kur Komitetit Ekzekutiv i UEFA-s, u pajtua që kërkesa zyrtare e Kosovës për anëtarësim, të vihet në rendin e ditës së kongresit të saj.

Nëse kërkesa miratohet, atëherë Kosovës do të mund t’i mundësohej anëtarësimi i plotë në Federatën Ndërkombëtare të Futbollit, FIFA, në takimin e radhës që do të mbahet në Mexico City, me 12 dhe 13 maj.

Nëse pritjet e Kosovës përmbushen, atëherë, ekipet e saj do jenë në gjendje të marrin pjesë në garat e UEFA-s, dhe ekipi i saj kombëtar mund edhe të pranohet në kualifikimet për Kupën e Botës në vitin 2018. Shorti për këtë është hedhur në Rusi në muajin korrik të vitit të kaluar, por Kosova potencialisht mund të shtohet në një nga grupet e Evropës.

FIFA vendosi në janar të vitit 2014 që t’i lejojë Kosovës të zhvillojë ndeshje miqësore ndërkombëtare.

Megjithatë ajo vendosi kufizime duke i ndaluar Kosovës që të luajë kundër ekipeve të vendeve që kanë dalë nga ish federata jugosllave.

Po ashtu klubeve të Kosovës u është ndaluar të shpalosin simbolet kombëtare apo të intonojnë himnin shtetëror gjatë ndeshjeve.

Serbia i është kundërvënë anëtarësimit të Kosovës në shumë organizata ndërkombëtare që kur ajo shpalli pavarësinë e saj në shkurt të vitit 2008.

Federata e Futbollit të Serbisë tha se do të luftojë deri në fund që të pengojë anëtarësimin e Kosovës ne UEFA.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: