Presidenti i Universitetit Europian të Tiranës Prof. Dr. Adrian Civici, tregon në këtë jubile për universitetin se ky është momenti kur  ne bëjmë një bilanc për të parë se çfarë kemi përmirësuar, sa dhe si e kemi kuptuar rolin e universiteteve në formimin e profesionistëve cilësorë, formimin dhe edukimin e qytetarëve shembullorë.

Në vitin 2009, në ceremonine e parë të diplomimit në pallatin e kongreseve ju diplomuat brezin e parë të studentëve. 10 vjet më vonë si ndjeheni një ditë përpara kësaj ceremonie  të 10?

Çdo ceremoni diplomimi është një eveniment i rëndësishëm, është një dalje para “pasqyrës akademike e profesionale” e universitetit për të vlerësuar veten, cilësinë dhe standartet e formimit akademik, profesional, shkencor e social të studentëve. Është momenti kur  ne bëjmë një bilanc për të parë se çfarë kemi përmirësuar, sa dhe si e kemi kuptuar rolin e universiteteve në formimin e profesionistëve cilësorë, formimin dhe edukimin e qytetarëve shembullorë.

Ne shohim ndryshimet dhe evolucionin që ka bërë UET në bazat e funksionimit të tij, në parimet kryesore, në ndjekjen e tendencave moderne të zhvillimit të universiteteve, rolit të tyre, marrëdhëniet me studentët, marrëdhëniet me tregun e punës dhe shoqërinë shqiptare në mënyrë që ceremonia mos jetë thjeshtë një listë përshëndetjesh apo fjalimesh por të jetë një bilanc dhe përballje me standartet më të mira dhe më të domosdoshme që duhet të plotësojë një universitet. Ceremonia e diplomimit na përball me faktin që gjithë këta studentë të diplomuar, në Bachelor, në Master edhe në Doktoraturë, do fillojnë apo vazhdojnë karrierën e tyre do jenë të bindur që vitet e kaluara në shkollë dhe diploma që ata kanë në dorë është ajo armë që i duhet për të patur një karrierë të suksesshmë,për të qenë të ditur, për të qenë të formuar dhe për të qenë të aftë e eficentë në tregun e punës.

Ndjehem i emocionuar edhe i kënaqur,sepse mjafton ti referohem disa shifrave që tregojnë përmasat e UET në zgjerimin dhe  shërbimet e tij akademike. Brënda 10 viteve kemi diplomuar 4363 studentë në Bachelor, 2323 në Master Profesional, 1706 në Mastër Shkencor, 528 në Master të Nivelit të Dytë dhe 336 studentë në nivel Doktorature. Pra në total, në UET gjatë 10 viteve, janë diplomuar në të tre ciklet 9256 studentë. Gjithkush, qoftë drejtuesapo pedagog në Uet e kupton përmasën dhe efektet e punës së tij dhe përgjegjshmërinë që duhet të ketë në raport me këto shifra.

Këtë vit ka dy jubile, është 15 vjetori i sektorit privat dhe diplomohet brezi i 10 i studentëve në universitetin tuaj. Si e vlerësoni praninë e sektorit privat, vendin që ka zënë në këto 15 vjet në Shqipëri?

Zhvillimi i sektorit privat në arsim ka qenë një risi pozitive për realitetin arsimor shqiptar, për arsye se sektori privat përveç faktit që plotësoi një nevojë në formimin universitar, dhe jo vetëm, por duke qenë edhe një sektor më  i ri futi metoda, koncepte dhe mënyra sjellje më bashkëkohore përsa i përket zhvillimit të mësimit, silabuseve, teksteve të përdorura, laboratorëve, ndërkombëtarizimit, programeve të kërkimit, programeve Erasmus, duke i dhënë një hop cilësor zhvillimit të arsimit në Shqipëri.

Besoj se sektori privat është një sektor që ka prodhuar studentë dhe të diplomuar shumë cilësorë që sot i gjen në poste drejtuese në biznese, koorporata, institucione publike, politikë, art, kulturë, diplomaci, drejtësi, çka tregon për forcën dhe vitalitetin e këtij sektori dhe përgjegjshmërinë me të cilën jo vetëm që u ngrit, por dhe po vazhdon të konsolidohet dhe të funksionojë. Në këtë drejtim mendoj që universitetet private kanë dhënë dhe vazhdojnë të japin një kontribut shumë pozitiv në të gjithë panoramën e arsimit shqiptar sot.

Në 10 breza diplomimesh UET ka hedhur në treg student të diplomuar të disa cikleve të studimit, të disa lloje të diplomave, BA, Masteri i nivelit t parë, të dytë, etj. Çfarë ju rezulton për përthitshmërinë e studentëve të UET për tregun e punës? A keni bërë një studim?
Në UET, një nga objektivat kryesore është bashkëpunimi i ngushtë me alumnit ose studentët që janë tashmë të diplomuar dhe nën traditën e shumë universiteteve perëndimore, në aktivitetin tonë të përditshëm, një pjesë të rëndësishme kemi marrëdhënien me Alumni-t, në sensin që universiteti përvec bashkëpunimit të ngushtë me ta, për projekte kërkimore e shkencore, për zgjerimin e universitetit, për pjesëmarrjen aktive në bordet e tregut të punës që kemi pranë çdo departamenti në UET, ne bëjmë dhe studime më të mirëfillta.

Synojmë të shohim si ka qenë koha e punësimit të tyre, sa përputhet vëndi i punës me diplomën që ata kanë marrë, si ka shkuar karriera e tyre në 10 vitet e para, si ka shkuar paga e tyre dhe shpërblimet në këto 10 vitet e para dhe mbi të gjitha çfarë mendojnë bizneset, institucionet kudo ku ata punojnë, për cilësinë dhe standartet e tyre.

Na rezulton që një pjesë e konsiderueshme e tyre janë të vlerësuar në tregjet e punës, janë duke bërë një karrierë të shpejtë dhe të suksesshme, dhe në shumicën e bizneseve me të cilat ne kemi një lidhje të ngushtë  në kuadrin e një programi specifik, të quajtur 250+, si dhe filozofisë së UET, “UET universiteti i biznesit”, pra universitet në shërbim të nevojave të biznesit dhe tregut të punës, në vlerësimet që ata bëjnë për studentët, studentët që kanë mbaruar UET janë të preferuar.

Janë në vende pune të qëndrueshme dhe njëkohësisht kanë shfaqur dhe një cilësi më të veçantë, që janë kritikë dhe kreativë. Mendoj që kjo vjen përveç cilësive të tyre individuale, edhe nga mënyra se si ne e kemi organizuar procesin mësimor, procesin kërkimor dhe përgjithësisht angazhimin e studentëve në universitet.

Sistemi universitar shqiptar ka kaluar disa sfida, proceset e para të akreditimit, akreditimin anglez, procesin e seleksionimit dhe të mbylljes, cila mendoni  që është sfida e re e sektorit privat, pas këtij 15 vjetori, në dekadën tjetër?

Padyshim që akreditimi përbën një nga momentet më të rëndësihsme vlerësuesë, kontrolluese por edhe seleksionuese përsa i përket universiteteve, qofshin publike apo private. Dhe pas gjithë këtyre viteve ne më në fund patëm një akreditim institucional të plotë të gjithë universiteteve, në kuadër dhe të akreditimit britanik, çka do të thotë se standartet me të cilat u vlerësuan universitetet ishin standartet më të mira të cilësisë, standarte të nivelit europian dhe ndërkombëtare.

Fakti që një pjesë e universiteteve i kaluan me sukses si dhe fakti tjetër që shumë universitetet private, ishin dukshëm me rezultate më të mira se universitetet publike dëshmon edhe një herë seriozitetin dhe përgjegjshmërinë, të paktën flas për UET-in, si zhvillohet mësimi, ndërtohen programet, marrëdhëniet me studentët, zhvillohet procesi i ndërkombëtarizimit, zbatohet me korrektësi ligji për të pasur një universitet cilësor.

Mendoj se të gjithë universitetet në Shqipëri, sfidën më të madhe sot kanë sfidën e cilësisë, sfidën e dobishmërisë, në raport me tregun e punës dhe shoqërinë shqiptare. Mund të kalosh akreditimin, mund të jesh në rregull edhe me një pjesë formale të zbatimit të ligjeve dhe rregullave, por cilësia e universiteteve, është një fazë e dytë shumë më e rëndësishmë.

A mendoni se debati, vendi dhe pozicionimi i sektorit të arsimit të lartë në shoqërinë shqiptare dhe raporti i universitetit publik dhe atij privat ka zënë vendini e vetë, është temë e përfunduar, temë në zhvillim e sipër apo i mbetet të ardhmes për ta diskutuar?

Debati ka kaluar në disa faza. Disa elementë të debatit mund të quhen të ezauruara ose të tejkaluara sepse e kanë marrë përgjigjen, por si debat mendoj që është një debat që mund të vazhdojë sepse gjithmonë ka çështje që mund të debatohen në emër të zgjidhjeve më eficente: unviersitetet publike dhe ato private janë në konkurencë me njëri-tjetrin, kanë ide të ndryshme për zhvillimin e sistemit universitar, për mënyrat e financimit, për marrëdhëniet me studentët, për marrëdhëniet me shtetin dhe qeverinë, për vizionin që ato kanë për rolin e universitetit në shoqëri.

Debati i parë ka qenë relativisht i ashpër por i domosdoshëm sepse duke qenë një sektor i ri, sektori privat, u ndesh me dilema e shumë paragjykime, nëse ishte një sektor i bërë vetëm për biznes, ishte një sektor që nuk premtonte cilësi, ishte një sektor që kishte shumë informalitet dhe shumë elemente të tjera. Gjatë debateve të këtyre viteve u provua që shumë nga këto pozicionime, konfikte ose polemika nuk ishin të qënësishme në thelbin e tyre. Ose ishin remineshenca të të kaluarës në mendimet për sektorin privat dhe sektorin publik ose ishin pasojë e konkurrencës midis dy sektorëve, ose ishin thjesht frymëzime të ndryshme ideologjike që penalizonin njërën ose lavdëronin tjetrën.

Pas 15 vitesh sektor privat, një pjesë e tyre janë tejkaluar dhe sektori privat i ka fituar ato beteja në këtë debat, sidomos betejën për cilësinë, betejën për standartet, për vizionin, për zhvillimin e universiteteve dhe rolin e tyre në shoqëri. Natyrisht mendoj që në të ardhmen nuk ka asnjë të keqe që ky debat të vazhdojë sepse çdo lloj debati evidenton mirë një problem, merr gjithë mendimet dhe ka një pjesëmarrje të gjerë jo vetëm të akademikëvë por përgjithësisht shoqërisë civile, polikës dhe aktorëve të tjerë të shoqërisë shqiptare, dhe natyrisht nëse fitohet një debat i tillë do të thotë se një çështje është bërë më e mirë është bërë më e plotë dhe një zgjidhje më cilësore është krijuar në këtë rast.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: