Komedia “Jashtëtokësorët” me skenar të Bashkim Hoxhës dhe regji të Erson Zymberit do të hapë Festivalin e Dramës Shqipe, “Flaka e janarit”. Autori i shfaqjes, absurditetin e mungesës së lëvizjes së lirë na e paraqet nëpërmjet një jashtëtokësori. Ajo ngjitet në skenë të premten në orën 19:00, duke shënuar kështu edhe natën e premierës së “UFO”-s me këtë regji, ndërsa më herët ajo ështe vënë në skenë në Shqipëri nga Hervin Çuli me titullin “Udhëtimi i një alieni pa vizë”.

Pjesa e shkruar vite më parë prej Hoxhës, ngre shqetësimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve shqiptarë. Ajo trajton brengën e shqiptarëve për lëvizje pa viza në BE. Me nota ironie, nga fillimi e deri në fund vihet përballë komikja me dramën e përditshmërisë sonë. Një ditë, një jashtëtokësor, zbret pa dashje në Shqipëri, në një vend prej të cilit nuk del dot pa viza. Krejt padashur është ë shtëpinë e një fshatari, i cili nuk i sheh prej vitesh të bijtë që jetojnë jashtë, pasi iu mungojnë vizat. Kështu ai përfiton nga rasti, përdor të gjitha mënyrat për të marrë një vizë, duke përdorur edhe praninë e alienit. Një ditë jashtëtokësori ikën tërësisht i pakënaqur, pa e kuptuar se pse një vend kaq i vogël ka kaq shumë kufij. Pos këtij problemi, pjesa e Hoxhës trajton edhe çështjen e inferioritetit që karakterizon shqiptarët, për shkak të të gjitha problematikave që i rrethojnë si edhe për shkak të mbylljes disavjeçare. Pesë shfaqje do të jenë pjesëmarrëse në njërën nga katër shtyllat kryesore të manifestimit kulturor “Flaka e Janarit”, që këtë vit shënon edicionin e saj të njëzet e katërt, ndërsa ajo organizohet tradicionalisht në qytetin e Gjilanit, në nderim të heronjve dhe martirëve të historisë shqiptare, të rënë përgjatë rrugëtimit të gjatë për liri e mëvetësi kombëtare.

(Botuar sot në Gazetën Shqiptare)
(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: